13 ditë pas bllokadave largohen Njësitë Speciale nga Jarinja dhe Bërnjaku - Pamje

Pas 13 ditë bllokadë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak me një marrëveshje të arritur Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, sot gjatë ditë është bërë largimi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës dhe lirimi i rrugëve nga barrikadat e protestuesëve që u vunë pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për reciprocitet me tabela të makinave.

Marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës ishte që të hiqeshin barrikadat dhe njësitë speciale ndërsa në gjashtë muajt e ardhshëm do të zgjidhet çështja e targave të veturave.

Largimi i barrikadave dhe njësisë speciale kishte afat të përfundonte deri në ora 16:00.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në këto pika që nga orët e hershme të mëngjesit njoftoi për gjithë ecurinë e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Në pikën kufitare në Jarinjë në orët e mëngjesit filloi tërheqja e barrikadave dhe qarkullimi i kamionëve të parë.

Derisa, gjatë ditës i pranishëm në pikën kufitare në Jarinjë i pranishëm ka qenë edhe kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, i cili deklaroi se po bëjnë atë që u kërkua nga KFOR-i.

Gjatë largimit të barrikadave në Jarinjë policia u përball me hezitim të protestueseve për largim të një kamioni që mbante mbishkrimin “Mirësevini në Bashkësinë e Komunave Serbe”, ky kamion u largua disa momente më vonë pasi njësia speciale kishte marr urdhër që të mos largohej deri të hiqeshin të gjitha barrikadat.

Pas largimit të kamionëve që u përdoren si barrikada për bllokim të rrugëve, qytetarët filluan të largonin edhe tendat ku kishin qëndruar në shenjë proteste.

Gjatë gjithë këtij aksioni ku prezente ishin edhe forca të KFOR-it në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ishin mbledhur edhe shumë qytetarë që po brohorisin “Serbia” në drejtim të pjesëtarëve të njësisë speciale.

Pas gjithë këtij aksioni të largimit të forcave të njësisë speciale në Jarinjë dhe Bërnjak në këto pika pritet të qëndrojnë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, në një periudhë prej dy javësh, për të siguruar një ambient të qetë.

Tërhiqet Njësia Speciale e Policisë, KFOR merr kontrollin në Jarinjë