120 mijë euro për marrjen dhe bartjen e mostrave të naftës deri në laborator për testim

Trupat inspektuese që ishin zgjedhur gjatë qeverisjes së ministrit Endrit Shala do të vazhdojnë të kenë punë edhe pas vendimit të ministres së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari që kontrollin e konformitetit të naftës në kufi të bëjë Dogana e Kosovës.

Me vendimin që kontrollin e dokumenteve të bëjë Dogana u është hequr pjesa më e madhe e të hyrave dy trupave inspektuese të autorizuara nga ish-ministri Endrit Shala.

Deri më tani, trupat inspektuese janë paguar 41 euro vetëm për t’i kontrolluar dokumentet e naftës për të parë nëse janë konform me legjislacionin në Kosovë. Në një ditë kanë hyrë në Kosovë rreth 70-80 autobote.

Nëse e marrim një mesatare prej 75 autoboteve në ditë, atëherë i bie që këto dy kompani kanë pasur të hyra ditore prej 3,075 euro. Kurse, brenda një viti ato kanë pasur të hyra prej rreth 1.1 milion euro.

Në Doganën e Kosovës kanë thënë se trupat inspektuese të autorizuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vazhdojnë të kenë punë në tregun e naftës.

Dogana e Kosovës është e obliguar që të bëjë testimin e 7% të naftës së importuar në Kosovë. Analizat e naftës bëhen në laboratorin e Doganës falas, mirëpo procesi i marrjes së mostrës nga autoboti dhe dërgimi i tyre në laborator ka një kosto tejet të lartë.

Në gjithë këtë proces, Dogana e Kosovës kërkon nga trupat inspektuese marrjen e mostrës nga maunet dhe të njëjtat t’i dërgojnë në laboratorin e saj.

“Mostrimi duhet të kryhet nga trupat e akredituara me këto metoda standarde”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës për KALLXO.com.

“Mostrat merren nga trupat private nën mbikëqyrjen e zyrtarëve te doganës dhe subjektit qe janë te akredituara me këto standarde dhe sillen ne doganë nga ana e trupave të akredituara me këto standarde. Trupat  e mostrimit përzgjidhen nga subjektet importuese e jo dogana.”, thuhet tutje në përgjigjet e Doganës.

Dogana e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet me shkrim të KALLXO.com kur është pyetur se sa është pagesa që e bëjnë naftëtarët për trupat insepktuese për një mostër të marrë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Valdet Teneqja nuk ka dashur të komentoj, por e ka mbyllur telefonin.

Ndërsa Jakup Gashi, pronari i trupës inspektuese tjetër që është i kontraktuar nga Ministria e Tregtisë për të kryer procesin e mostrimit tha për KALLXO.com që pas vendimit të fundit të Ministrisë është duke menduar të mos merret fare me mostrimin e naftës.

Sipas tij, kompania tjetër, ajo e Valdet Teneqes i merr 70 euro për mostrimin e naftës.

“Unë nuk i marrë hiç. Valdet Teneqja i merr 70 euro, për dy litra që i merr me i çu në laborator. Unë nuk i marrë hiç sepse se kam mendjen me hy hiç se Teneqja e ka laboratorin e vet. Edhe Dogana është duke e bërë në laborator të tij. Laboratori i Doganës është me 11 parametra e 4 pajisje”, tha Jakup Gashi për KALLXO.com.

Sipas të dhënave të Doganës, brenda vitit janë rreth 1 mijë e 700 maune me naftë të cilat u nënshtrohen kontrollë së cilësisë naftës.

Numri i testeve të kryera gjatë kohës sa kontrollin e dokumenteve të konformitetit e kanë bërë trupat inspektuese private ka shkuar deri në 2,500 që i bie se kishte një kosto vjetore prej 175 mijë euro.

Çmimi prej 70 euro për një mostër të naftës që merret në autobot dhe dërgohet në laboratorin e Doganës është konfirmuar edhe nga kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

“Çmimi i kontrollit të cilësisë në laborator në 3 parametra biznesi ka paguar mbi 200 euro. Marrja e mostrës në një maune kushton 70€. Ndërsa leximi i certifikatës së konformitetit, (raportit) ka kushtuar 41€. Me vendimin e ministres, bizneset tash nuk paguajnë për kontrollin e cilësisë dhe certifikatën sepse këto i kryen Dogana e Kosovës. Ndërsa marrja e mostrës dhe dërgimi në laborator për testim paguhet 70 euro” , tha Berjani për KALLXO.com.

Nëse llogarisim me 1,700 mostra sa ishte mesatarja e mostrave që janë marrë nga Dogana, trupat inspektuese pritet të fitojnë 120 mijë euro në vit, vetëm për bartjen e mostrës nga pikat doganore e deri te laboratori i Doganës.

Sipas Berjanit, pas vendimit të ministres Rozeta Hajdari, qytetarët do të paguajnë 2 centë më lirë në litër të naftës.

“Qytetari me ketë vendim furnizohet me derivat me çmim më të lirë, afërsisht për 2 centë”, ka thënë Berjani.

Valdet Teneqja, pronari i kompanisë që bënë mostrimin e naftës, është baxhanaku i ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shalës, të Nismës Socialdemokrate.

Ai e kishte marrë këtë kompetencë gjatë kohës që Ministria e Tregtisë qeverisej nga ministrat e Nismës Socialdemokrate.

Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari kishte njoftuar më 7 maj se ka marrë vendim ta rikthejë udhëzimin administrativ të ish-ministres dhe kështu kontrolli naftës t’i kthehet Doganës dhe mos t’i lihet kompanive private.

Hajdari kishte njoftuar gjithashtu se me këtë vendim ka anuluar edhe dispozitat kyçe të udhëzimit administrativ (MTI) nr. 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, duke theksuar se tash kontrolli i naftës i kthehet Doganës së Kosovës.

Emisioni “Kallxo Pernime”, në muajin mars ka transmetuar hulumtimin rreth krijimit të trupave inspektuese për kontrollin e cilësisë së naftës duke raportuar se njëra nga këto kompani është e baxhanakut të ish-ministrit Endrit Shala.

Në këtë hulumtim ndër të tjera u pasqyra ‘pingpongu’ i ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, me ish-kryeministrin, Avdullah Hoti.

Hoti kërkonte shfuqizimin e këtij udhëzimi, ndërsa ministri Krasniqi kishte thënë se ky udhëzim nuk do të shfuqizohet.

Më 29 janar, Hoti kishte thënë që udhëzimet që nuk janë në përputhje me ligjin do të shfuqizohen, duke përfshirë edhe këtë për monopolin e naftës.

Pas vendimit të ministres Hajdari, KALLXO.com kishte gjetur se një nga pikat e udhëzimit administrativ nuk është anuluar.

Kjo pikë e udhëzimit administrativ të nxjerrë gjatë kohës së ish-ministrit Vesel Krasniqi kishte lënë prapa një monopol në shenjëzimin apo markimin e naftës.

Shenjëzimi/markimi i naftës do të bëhet i obligueshëm, ndërsa pritet t’i garantojë kompanisë së autorizuar rreth 6 milionë euro në vit apo 30 milionë brenda 5 vjetëve, në vartësi të sasisë sa naftës së importuar.

Kompania që do ta ketë monopolin është një kompani nga Zvicra dhe vendimi për të ia dhënë monopolin ishte marrë nga ministri Vesel Krasniqi.

Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com nga Ministria e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Ministri i NISMA-së la prapa monopol në shënjim të naftës me kosto milionëshe