120 karroca me çanta shkolle vendosen në sheshin 'Skënderbeu'

Zyra e UNICEF në Prishtinë ka njoftuar se ka vendosur mëngjesin e sotëm 120 karroca me çanta shkolle në sheshin “Skenderbeu”, në Prishtinë në shenjë thirrjeje për përfshirje më të madhe të fëmijëve me nevoja të veçanta.

UNICEF përmes këtij instalacioni ka bërë thirrje për vëmendje më të madhe për mbrojtjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në mënyrë që ata të mos lihen në karantinë për pjesën tjetër të jetës së tyre.

“Instalacioni i cili do të zgjasë nga data 17 deri më 25 maj është thirrje që u bëhet vendimmarrësve, shoqërisë civile, mediave dhe sektorit privat për përfshirje më të madhe të fëmijëve që jetojnë me nevoja të veçanta”, thuhet në njoftimin e UNICEF.

Murat Sahin, Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë thotë se sipas Konventës për të Drejtat eFëmijëve, të gjithë fëmijët, pa dallim, kanë të drejta të barabarta.

“Na përket neve që t’i ndihmojmë ata që ta arrijnë potencialin e tyre të plotë. Është detyrimi ynë moral, ligjor dhenjerëzor. Izolimi dhe distancimi shoqëror që të gjithë prej nesh po e përjetojnë në kohën e pandemisë së COVID-19 është diçka që fëmijët me nevoja të veçanta e përjetojnë gjatë gjithë jetës së tyre. Përderisa Kosova gradualisht i kthehet normalitetit pas situatës së shkaktuar nga COVID-19, është e rëndësishme që shoqëria të ndihmojë që të përfundojë izolimi i fëmijëve me nevoja të veçanta njëherë e përgjithmonë. Një normalitet i përshtatshëm, i ri dhe më i mirë për njëshoqëri gjithëpërfshirëse për të gjithë”, ka thënë Sahini.

Zyra e UNICEF-it në Kosovë përmes këtij instalacioni po kërkon përshtatjen e praktikave mësimore gjithëpërfshirëse për të përmbushur nevojat e fëmijëve me nevoja të veçanta, caktimin e një numri adekuat të asistentëve të mësimdhënësve për fëmijët me nevoja të veçanta në nivelin parashkollor dhe në shkolla, ndarjen e një buxheti të mjaftueshëm për transport falas të fëmijëve me nevoja të veçanta deri në objektet parashkollore dhe në shkolla ofrimin e pajisjeve teknologjike dhe ndihmëse për të gjithë fëmijët në nivel parashkollorë dhe shkollor, përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe të familjeve të tyre në aktivitete shoqërimi dhe aktivitete sportive, dhe qasje për të gjithë në hapësira publike, shkolla dhe biznese.

Sipas njoftimit,  UNICEF-i do të vazhdojë të mbështesë institucionet dhe komunitetet për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me personat dhe fëmijët me nevoja të veçanta, duke përfshirë këtu përmirësimin e ligjeve, ofrimin e shërbimeve me bazë në komunitet, stimujve dhe ndihmave sociale në para të gatshme në mënyrë që të drejtat e tyre të përmbushen.