120 fëmijë festojnë në përvjetorin e Konventës për të drejtat e tyre

120 vogëlushë të kryeqytetit kanë vallëzuar nën tingujt e muzikës dhe kanë lozur me balona në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës në aktivitetin e organizuar nga UNICEF me rastin e 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin.

Në një prononcim për KALLXO.com, Sahin tha se ky organizim është si të festohet ditëlindja e dytë e një fëmije.

“Kjo javë është e rëndësishme për të gjithë fëmijët në botë. Jemi duke festuar 30 vjetorin e aprovimit të Konventës për të Drejta të Fëmijëve. Ne duam t’u japim edukimin më të mirë, shëndetin më të mirë”, tha Murat Sahin.

120 fëmijët pjesmarrës ishin nga klasët e para deri në të katërtën të shkollave “Faik Konica” dhe “Ismail Qemali”.

”Ky aktivitet është shumë i qëlluar për shkollën tonë edhe për të gjithë fëmijët e mbarë Prishtinës. Është një aktivitet mjaft i mirë sepse fëmijët duan edhe këta t’u bashkohen fëmijëve të tjerë, që të gjithë së bashku të shënojnë këtë ditë të Konventës Ndërkombëtare të Fëmijëve”, tha Suzana Ibrahimi, mësuese e ShFMU “Faik Konica”.

Aktivitetet nga Zyra e UNICEF-it do të vazhdojnë edhe nesër në shënimin e 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Femijëve, ku pjesmarrës do të jenë edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova dhe Murat Sahin.