
Komuna e Vushtrrisë
120 eurot për fëmijët e porsalindur në Vushtrri nuk janë ekzekutuar nga Komuna për më shumë se tetë muaj për disa prindër
Në shkurt të vitit 2020, Asambleja Komunale e Vushtrisë votoi pro një Vendimi për ndarjen e 120 eurove për çdo fëmijë të lindur, prindërit e të cilit janë banorë të përhershëm në këtë Komunë.
Mirëpo, në këtë Komunë disa prindër tani e tetë muaj vazhdojnë të presin për ekzekutimin e shtesave financiare për fëmijët e porsalindur.
Shkelzen Halili, qytetar i kësaj Komune, ka deklaruar për KALLXO.com se ka kërkuar disa herë përgjigje nga Komuna, por mjetet ende nuk i janë paguar.
‘‘Kam shkuar dy apo tri herë në Komunë dhe gjithmonë kanë thanë që nuk ka buxhet. Derisa të aprovohet buxheti, nuk mund të bëhet asgjë. Çështja e buxhetit d.m.th. para Vitit të Ri ka qenë normale që nuk ka pasur, por kjo është dashur të ndryshonte.” – tha Halili.
Sipas Halilit, nuk është vetëm rasti i tij, por kjo është një çështje që ka prekur shumë familje të tjera në Komunën e Vushtrisë. Ai ka shtuar se fëmija i tij ka bërë më shumë se tetë muaj dhe nuk ka marrë ndonjë shtesë që është e garantuar me Vendimin e shkurtit 2020.
“Nëse do të kishte qenë vetëm për mua, do të thosha se ka ndodhur një gabim në dokumente, por kjo ka ndodhur edhe në familje të tjera.” – tha Shkelzen Halili.
Një qytetar i Komunës së Vushtrisë, i cili nuk deshi të identifikohej është shprehur për KALLXO.com se edhe pse ka aplikuar për shtesat e fëmijës së porsalindur katër muaj më parë, Komuna ka thënë se nuk ka buxhet.
‘‘Kam shkuar në Komunë dhe përgjigjja ishte se Komuna nuk kishte buxhet. Kam aplikuar para katër muajsh dhe ende nuk kam marrë asnjë përgjigje.” – është shprehur ai.
Kryetari i Komunës së Vushtrisë, Ferit Idrizi ka thënë për KALLXO.com se vonesat për pagesën e shtesave për fëmijët e porsalindur ka një shpjegim.
Sipas tij, shkaku i kësaj vonese është mungesa e mjeteve financiare.
“Aryeja pse nuk janë dhënë shtesat për fëmijët e porsalindur janë, sepse nuk kemi pasur para, për shkak se na janë marrë nga Kontratat kolektive për mësimdhënësit 6 milionë euro.” – ka thënë kryetari Idrizi.
Ai ka shtuar se të gjitha pagesat e shtesave për fëmijët e porsalindur ekzekutohen në paketa dhe se të gjithë ata që kanë lindur – përfshirë ata që kanë lindur vitin e kaluar – do të përfitojnë shtesat.
Shefi i Grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Vushtrisë, Sylejman Meholli në një prononcim për KALLXO.com është shprehur se ka ngritur disa herë shqetësimin për mosekzekutimin e shtesave financiare për fëmijët e porsalindur.
Ai ka deklaruar se këtë çështje e ka ngritur në Kuvendin Komunal të Komunës së Vushtrisë – përfshirë edhe seancën e mbajtur në muajin janar të vitit 2025.
‘‘Kam ngritur këtë shqetësim të paktën katër herë në Kuvendin Komunal – përfshirë edhe seancën e fundit. Më herët në muajin korrik të vitit 2024 kam propozuar që këto shtesa të rriten nga 120 euro në 250 euro, pasi shumë Komuna më të vogla se Vushtria i kanë rritur ato.” – është shprehur Meholli.
Sipas Mehollit ‘‘Vendimi për shtesat e fëmijëve të porsalindur është miratuar, por që ende nuk janë paguar, kjo është një shkelje”.
Në lidhje me menaxhimin e buxhetit, Meholli ka kritikuar qeverisjen e Ferit Idrizit dhe PDK-së në Vushtrri.
‘‘Ata janë të gatshëm të ndajnë 320 mijë euro për trajtimin e qenve, por nuk janë në gjendje të ndajnë 120 euro për fëmijët e porsalindur. Kjo flet vetë se çfarë mentaliteti të qeverisjes kemi në Komunën tonë.” – tha Meholli.
Shkëlzen Xhaferi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Komunën e Vushtrrisë, ka theksuar se çështja e mospagimit të shtesave për fëmijët e porsalindur është ngritur që nga marsi i vitit 2024.
‘‘Po e kemi ngritur këtë çështje, sepse që nga marsi i vitit 2024 nuk janë paguar shtesat për fëmijët. Gjithashtu, si Grup kuvendar e kemi ngritur këtë cështje, por nuk kemi marrë asnjë shpjegim nga kryetari Idrizi.” – ka thënë Shkëlzen Xhaferi.
Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Vushtrrisë, Isuf Jashari tha se për vitin 2024 janë ekzekutuar 76,560 euro.
“Po, është e vërtetë, nuk janë ekzekutuar qe 8 muaj. Sa i përket pagesave e di gjendjen faktike se si është, edhe obligimeve të cilat i kemi. Shuma totale e cila është proceduar është ekzekutuar prej 76,560 që kanë qenë obligime të vitit të kaluar. Tash, po në planifikim i kemi edhe fëmijët e këtij viti, varësisht prej kërkesave, edhe numrit të cilët vijnë do të bëhet edhe ekzekutimi i pagesave me radhë, ashtu qysh i klasifikon Drejtoria përgjegjëse.” – tha ai.
Kurse drejtori për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale, Lorik Maxhuni thotë se të gjitha familjet janë kompensuar sipas Rregullores në fuqi.
“Sipas Vendimit të datës 27.02.2020 ka kaluar në fuqi një masë subvencionimi për fëmijët e posalindur, ku çdo fëmijë i tillë përfiton një shumë prej 120€. Kjo masë ka për qëllim të mbështesë familjet dhe t’i ndihmojë ato në periudhën e parë të jetës së fëmijës. Për vitin 2024 është ndarë fondi total prej 104 mijë eurosh, i cili është shpërndarë për gjithsej 858 përfitues, të cilët kanë plotësuar kushtet për të marrë këtë subvencion. Kjo mbështetje financiare është pjesë e angazhimit për përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet me fëmijë të rinj dhe për nxitjen e lindshmërisë. Në lidhje me pyetjen tuaj për fëmijët në pritje për subvencionim për vitin 2024, mund t’ju sigurojmë se aktualisht nuk ka asnjë lëndë të papërpunuar për pagesë në Drejtorinë tonë. Të gjitha kërkesat janë proceduar dhe janë në përputhje me normat dhe Rregulloret përkatëse.” – thotë Maxhuni.
KALLXO.com pati raportuar më 02.02.2024 se në Asamblenë e Vushtrrisë po dyshohet për manipulimin e votave.
Propozimi i LVV-së për rritjen e shtesave të fëmijëve të porsalindur në 250 euro nga 120 sa janë aktualisht ishte përcjellë me polemika të shumta në Asamblenë Komunale të Vushtrrisë.
Asamblistë të Grupeve opozitare pretendonin se në seancën e 25 janarit 2024 nuk ishte numëruar qëllimisht vota e njërit prej asamblistëve, e cila ishte vendimtare për të kaluar kjo Pikë e rendit të ditës, e cila parashihte rritjen e shtesave për fëmijët e prosalindur nga 120 në 250 euro.
Momenti i votimit të kësaj Pike nuk gjendej as në video-incizimet e Komunës.
Për këtë asamblistët e Kuvendit kishin kërkuar të shikonin video-incizimet, ngase sipas tyre vota e 13, që duhej për të kaluar propozimi, nuk ishte numëruar.
“Njëri nga përfaqësuesit tanë ka shku për verifikim të incizimit dhe nuk ka pasë mundësi me u pa, pikërisht momenti kur ka ndodhë votimi për rritjen e subvencionimit të foshnjeve të porsalindura me 250 euro. Por, pse u pre pikërisht ai moment i votimit, pse nuk u pre një moment më herët ose më vonë, por pikërisht momenti kritik i votimit u pre nga incizimi.” – kishte thënë Sylejman Meholli nga LVV.
Sipas asamblistit Faton Hyseni, të cilit pretendohet se nuk i ishte numëruar vota, ky rast i “devijimeve” të tilla, siç i quajti ai, nuk ishte i vetmi në Asamblenë e Vushtrrisë.
“Unë po ju kallxoj publikisht që nuk është hera e parë që IT-ja i bën këto gjeste. Tash me koordinim apo pa koordinim, kjo prapë le të jetë në ndërgjegjen e tyre, mirëpo nuk është në rregull që bash në atë kohë, bash në atë moment u fshi dhe nuk u punua, që të shtynë me dyshu që aty ka pasur keqpërdorim nga IT-ja.” – kishte thënë Hyseni.
Komuna e Vushtrrisë e kishte arsyetuar këtë se rënia e rrjetit në Komunë ka bërë që të ndërpritej transmetimi i drejtpërdrejtë i Seancës së Kuvendit. Pikërisht, në momentin e votimit në Seancën e datës 25.01.2024.
(Shënim: Lajmit i është bashkëngjitur përgjigjja e Drejtorit të Financave, i cili thotë se tashmë ka filluar ekzekutimi i shtesave. Po ashtu, edhe përgjigjja nga Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale – Koha e editimit: 12:45 – 14:20 – 04.02.2025)