12 vite nga ngritja e aktakuzës, nuk mbahet seanca për tentim vrasje

Mungesa e Jeton Osmanit, i akuzuari vrasje të rëndë në tentativë bëri që të shtyhet seanca fillestare në gjykatë.

Në këtë gjykim munguan edhe të dëmtuarit Bujar, Emin dhe Naim Pajaziti, të cilët jetojnë jashtë vendit.

Ndërsa të pranishëm ishin prokurorja e rastit Fitore Sadikaj dhe mbrojtësja e të akuzuarit avokatja Kosovare Kelmendi.

Prokurorja u deklarua se për  veprën penale nga pika 2 e aktakuzës armabjtje pa leje ka arritur parashkrimi absolut  dhe është prfshirë në amnisti andaj do t’i drejtohet gjykatës me parashtresë të veçantë për tërheqje nga ndjekja lidhur me këtë vepër.

Pasi kryetarja e trupit gjykues-gjykatësja Nushe Kukaj Mekaj, konstatoi se për shkak te  mungesës së palëve nuk mund të vazhdohet seanca gjyqësore, seanca e rradhës u shtye për kohë të pacaktuar.

Gjykatësja e rastit Nushe Kukaj Mekaj, u deklarua se ‘’e di që ky rast është nga 2007, aktakuza është konfirmuar me datën 07.09.2010|”, por ajo këtë lëndë e ka pranuar muajin e kaluar.

Sipas aktakuzës, Jeton Osmani  me 16 dhjetor të vitit 2006, rreth orës  19:20 në Prishtinë me dashje ka tentuar t’i vrasë Bujar, Naim e Emin Pajazit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Jeton Osmani  me dashje ka gjuajtur me pushkën automatike ‘’AK-47’’  rafal nga oborri i shtëpisë së tij në drejtim të dyerve të oborrit para të cilave ishin duke pritur të dëmtuarit Bujar, Naim e Emin Pajaziti.

Të dëmtuarit derisa e prisnin të akuzaurin për të biseduar para shtëpisë së tij ishin qëlluar më armë ku Bujar Pajaziti ishte goditur nga 4 plumba në pjesën e majtë të gjoksit dhe dhe në pjesën e djathtë të këmbës, ndërsa Naim Pajaziti ishte goditur nga 3 plumba në dy këmbët dhe në anën e djathtë të shpinës, ndërsa Emin Pajaziti kishte shpëtuar pa plagë.

Jeton Osmani, sipas aktakuzës së vitit 2007 ishte ngarkuar edhe me veprën armëmbajtje pa leje, mirëpo për këtë vepër është arritur parashkrimi apsolut dhe e njëjta është aministuar.