Foto: REL/EPA-EFE

12 të vdekur nga COVID-19 sot në Maqedoni të Veriut

Maqedonia e Veriut të hënën ka regjistruar 12 persona të vdekur nga koronavirusi ri, që shkakton sëmundjen Covid-19.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pesë të vdekur janë regjistruar në Shkup, dy në Tetovë, dy në Strugë dhe nga një në Gostivar, Veles dhe Shtip.

Kjo është shifra e më lartë e viktimave që nga paraqitja e pandemisë, duke e çuar numrin e të vdekurve në 298 persona.

Gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 868 testime për koronavirusin e ri dhe prej tyre 132 raste kanë rezultuar pozitive me Covid-19.

Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, gjithsej 57, pastaj në Tetovë 18, në Kumanovë 10, Shtip 13 ndërsa në 13 qytete tjera numri i të infektuarve është më i vogël se dhjetë.

Pavarësisht numrit të lartë të të infektuarve, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut për momentin ka kapacitete për t’u përballur me virusin.

Ndërkohë, pas një periudhe të gjatë, së fundmi është shënuar rritje edhe e numrit të personave të shëruar. Sipas raportit janë 112 persona që kanë kanë fituar betejën me Covid-19.

Prej shpërthimit të pandemisë me koronavirus, në Maqedoninë e Veriut janë bërë 59,633 teste. Prej tyre, 6,209 kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, 3,484 janë ende aktive ndërsa 2,427 pacientë janë shëruar.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë të ditur se për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar, nuk planifikohet hapja e kopshteve për fëmijë, të cilat janë të mbyllura nga muaji mars./REL