12 pjesëtarë të FSK-së bëhen pjesë e Infektivës për trajtimin e pacientëve me COVID-19

Dymbëdhjetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga sot janë pjesë e Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të trajtuar pacientët e infektuar me coronavirus.

Ushtruesi i detyrës së drejtorisë së Infektivës, Valbon Krasniqi tha se ky është bashkëpunimi i parë në këtë fushë me FSK-në.

Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se këta ushtarë do i dalin në ndihmë profesionistëve shëndetësorë për rritjen e kapaciteteve dhe resurseve humane.

“Ne gjithmonë kemi nevoja për që të rrisim kapacietet tona jemi ne angazhim, muajin e kaluar kemi angazhuar 200 profesionistë shëndetësorë këtë javë do të angazhojmë edhe 375 të tjerë”, tha Ministri.

Tutje, ai potencoi se janë në hapa për të siguruar edhe viksinën në rast se ajo aprovohet dhe vihet ne treg.

“Jemi në hapa konkretë dhe që mendojmë të realizueshme nëse vaksina hidhet në përdorim që edhe ne të sigurojmë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Ministri

“Falas”, u përgjigj shkurt ai kur u pyet se a do të paguajnë qytetarët për vaksinën.

Kujtojmë se mbi 1200 profesionistë shëndetësorë deri më tani janë të infektuar me COVID-19 në nivel vendi ndërsa shtatë mjekë, pesë infermierë dhe një laborant kanë vdekur si pasojë e infeksionit me coronavirus.

Mbi 1,200 profesionistë shëndetësorë të infektuar me COVID-19