12 mësimdhënës dhe 8 nxënës me COVID-19 në Gjilan

Të dhënat tregojnë se në shkollat e komunës së Gjilanit janë 20 persona të infektuar me COVID-19.

Nga data 21 mars deri më sot, janë 12 mësimdhënës të infektuar dhe 8 nxënës.

Ndërsa, sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, asnjë persona nga stafi administrativ dhe punëtorët teknik nuk është prekur me coronavirus.

Po ashtu, sipas këtyre të dhënave të gjitha shkollat fillore të Gjilanit po vijojnë mësimin në shkolla me skenarin A ndërsa ato të mesme me skenar B apo të kombinuar.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për numrin e mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar gjatë gjysmëvjetorit të dytë por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.

Gjysmëvjetori i dytë në shkollat e Kosovës ka filluar më 18 janar me planin e njëjtë siç kishte filluar gjysmëvjetori i parë. Pra, me tre skenarë të cilët ishin përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.