12 infermirë të FSK-së përfundojnë misionin 30 ditësh në Klinikën Infektive

Infermierët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar misionin e tyre 30 ditësh në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët e infektuar me COVID-19 në Klinikën Infektive, Pulmologjisë dhe Mjekimin Intensiv në QKUK.

UD drejtori i Shërbimit Spitalor Klinikë Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, është shprehur se përvojat e infermierëve të FSK-së dhe ata nëpër klinikat e QKUK kishin hapësirë që të shkëmbejnë përvoja ndërmjet vete.

“Imputet dhe komentet që kam marrë nga menaxher të klinikave janë inkurajuese për gatishmërinë, për përvojën dhe për aktivitetin e tyre që kanë treguar gjatë qëndrimit 1 mujor në klinika. Ka pasur përkushtim të jashtëzakonshëm për punë, dhe besoj se ka pasur hapësirë që krahas ofrimit të shërbimeve për pacientë të shkëmbejnë edhe përvojat e tyre me kolegët infermierë të këtyre klinikave , pasi këtu dihet se është shërbim i natyrës tjetër, është shërbim civil që dallon nga shërbimi ushtarak”, është shprehur Krasniqi, bëhet e ditur në njoftimin e QKUK-së.

Krasniqi, tutje ka falënderuar infermierët për kontributin e dhënë, si dhe ka ndarë mirënjohje për infermierët dhe drejtorin e FSK-së.

Falënderues është shprehur edhe Drejtori i Qendrës së FSK-së, Shkelzen Syla, i cili gjithashtu tha se do të vazhdojnë bashkëpunimin.

“Punën që keni bërë bashkë me kolegët e juaj për menaxhimin e kësaj pandemie, do të vazhdojmë me përkrahje, siç jemi përkrahur nga ShSKUK, do të vazhdojë bashkëpunimi si një trupë në shërbimin shëndetësore publik dhe do të menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Syla.

UD drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Berisha, si dhe drejtoresha e Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, kanë treguar përvojat e tyre që bashku me kolegët nga FSK.

Prej 24 gushtit, infermierët e FSK-së kanë filluar misionin e tyre në disa klinika të QKUK-së.