118 raste të vjedhjes së rrymës për një javë

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se për një javë ka kapur 118 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Sipas njoftimit të ministrisë, nga data 28 nëntor deri më 4 dhjetor 2022, janë bërë 1 mijë e 628 kontrolle, prej të cilëve 118 kanë rezultuar me keqpërdorime.

Kjo shifër është me e ulët në krahasim me javën paraprake.

Nga kontrollet në datat 21 deri më 27 nëntor, ishin kapur 164 raste duke e vjedhur energjnë elektrike, nga 1 mijë e 976 kontrolle.

Ministria e Ekonomisë kishte thënë se humbjet komerciale apo vjedhjet e energjisë elektrike vetëm në vitin 2021 arrijnë shifra aq të larta sa dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë një muaj për t’i mbuluar ato.

Ministria e Ekonomisë më herët kishte thënë se kostoja e vjedhjes së energjisë elektrike në vitin 2021 ka qenë 110 milionë euro, ndërkaq këtë vit parashihet që të arrijë në vlerën prej 99 milionë eurosh.