111 vite nga unifikimi i gjuhës shqipe

 

Abetarja shqipe ka ndryshuar ndër vite, por nuk ka ndryshuar themeli  i saj.

Arsyeja pse kjo abetare gjendet sot mbi bankat shkollore është vendimi i cili u miratua para  111 viteve.

Ditën e Kongresit të Manastirit po e festojnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si  festë tradicionale e cila duhet të festohet në të gjitha trevat shqiptare.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908 në Manastir.

Ky Kongres kishte miratuar vendimin që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përvetësuar ato në  gjuhën shqipe.

26 qytete, klubet artistike e politike, shoqatat përfaqësoheshin nga 50 delegatë.

Në Manastir, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare.

Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Kryetar i Kongresit ishte Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

Në  Maqedoninë e Veriut  kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

Kjo datë është e njohur si Dita e Alfabetit. Para këtij Kongresi, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh.

Shoqëria e mirënjohur e asaj kohe “Bashkimi”, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare.