111 afganë kanë arritur sot, nesër fluturimi i radhës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se numri i shtetasve afganë që kanë ardhur sot është 111.

“Numri i shtetasve afganë që janë sot këtu është 111, prej tyre janë gra, fëmijë dhe pleq që janë familjarë të bashkëpunëtorëve të NATO-S në Afganistan”, tha ai.

Sipas tij, afganët do të vendosen në ish-kampin e Betchel Enkas.

“Këta do të vendosen në ish-kampin e Betchel Enkas. Fluturimet e ardhshhme pritet të ndodhin qysh nesër, kemi konfirmimet e radhës për aterrimet e ardhshme”, shtoi ai.

Ministri shtoi se qytetarët janë duke u testuar me COVID-19 dhe së shpejti do të vaksinohen.

Kurse, presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, pas arritjes së grupit të parë të afganëve në Kosovë  tha se sot Kosova i ka hapur afganëve jo vetëm dyert, por edhe zemrën.

“Ne sot para të gjithë atyre tregojmë që jo i kemi hapur vetëm dyert, por edhe zemrat tona, sepse si njerëz që kemi qenë të një pushteti gjenocidal e kuptojmë shumë mirë se çka do të thotë që të detyrohesh të largohesh nga shtëpia jote”, tha Osmani.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është nder për Kosovën që mund t’i ndalë në ndihmë këtyre qytetarëve.

“Kur është në pyetje në çështje humanitare dhe kur janë në pyetje partnerët dhe aleatët siç janë ShBA dhe NATO nuk bëhet pyetje pse por vetëm si. Pra, të gjitha çështjet që i diskutojmë janë të natyrës teknike dhe logjistike”, tha Kurti më tej.

Në Kosovë të dielën më 29 gusht, arriti grupi i parë i qytetarëve afganëve, prej rreth 100 personash, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin. Ata u transportuan me një avion të forcave ajrore amerikane.

Qeveria e Kosovës ka thënë se do të strehojë përkohësisht rreth 2,000 afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.