foto Kallxo.com

11 vjet pas, historia e vrasjes së Triumf Rizës pa epilog

Kanë kaluar saktësisht 11 vjet apo 4,018 ditë nga koha kur pasditen e 30 gushtit 2007 në një lagje të Prishtinës u qëllua për vdekje Triumf Riza, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Kur ka kaluar më shumë se një dekadë nga kryerja e kësaj vrasje, një proces gjyqësor ka përfunduar me vendim të formës së prerë prej 35 vjet burg ndaj të akuzuarit se shtiu në Rizën, Arben Berisha, ndërsa një proces tjetër gjyqësor ndaj atij që akuzohet se e nxiti ende është duke vazhduar.

Historia e konflikti të Rizës me Enver Sekiraqën dhe grupin e tij të pretenduar nga Prokurori i rastit daton që nga paslufta me një incident që ndodhi tek siç njihet ‘Te Rrethi’ në Prishtinë.

Sipas prokurorit që hetoi këtë rast, Andrew Carney, ky takim shënoi takimin e Policit Riza në një anë, me Enver Sekiraqën.

Me kalimin e disa viteve, në mes të këtij konflikti u gjend edhe këngëtarja e famshme e pop muzikës në Kosovës, Adelina Ismaili, e cila u përfol se njihej me dy të akuzuarit ndërsa konflikti mori përmasa të reja ndërsa Prokuroria përmend disa raste ku pati fërkime, përleshje, përcjellje apo edhe gjuajte me armë siç përmendet rasti i natës së krishtlindjeve në vitin 2005 në Swiss Casino.

Konflikti sipas Prokurorisë vazhdoi me kanosje, prita, përcjellje, djegie të veturës, gjuajtje me armë deri në vitin 2007, ku përfundoi me vrasjen e Triumf Rizës.

Sipas prokurorisë, në Rizën shtiu Arben Berisha, njëri nga pjesëtarët e panjohur të grupit Sekiraqa që ishte i gatshëm të marrë përsipër kryerjen e kësaj detyre.

Arben Berisha në vitin 2010 u dënua me 35 vite  burg për vrasjen e Triumf Rizës ndërsa ky vendim ka marrë formën e prerë, procesi ndaj atij që akuzohet për nxitjen e kësaj vrasje nuk ka gjetur fundin.

Në maj të vitit 2016 pasi një procesi gjyqësor ku u dëgjuan dhjetëra dëshmitarë dhe u mbajtën dhjetëra seanca, Sekiraqa u gjet fajtor dhe u dënua me 37 vjet burg nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it.

Mbrojtja e Sekiraqës fuqishëm e kundërshton këtë vendim duke e quajtur të padrejtë dhe duke pretenduar se edhe nuk ka asnjë provë që mbështet pretendimet e prokurorisë.

Mbi këtë pretendim, mbrojtja e Sekiraqës u ankua në Gjykatën e Apelit dhe instanca e fundit e drejtësisë e ktheu në rigjykim këtë rast.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën, në asnjë mënyrë nuk e nxiti, urdhëroi apo premtoi dhuratë Arben Berishës, por se Berisha vrasjen e kreu duke qenë se disa herë ishte rrahur nga Triumf Riza.

Gjatë procesit gjyqësor, Sekiraqa akuzohej për tri pika të akuzës teksa u gjet fajtor për pikën e nxitjes së vrasjes së Triumf Rizës.

Procesi gjyqësor ndaj Sekiraqës që ishte dorëzuar në EULEX në vitin 2016 zgjati afër dy vjet ndërsa në këtë proces shpeshherë për shkak të arsyeve të parapara me ligj u përjashtua edhe publiku.

Ndër dëshmitarët e këtij procesi ishin edhe babai dhe vëllai i Triumf Rizës që fajësuan Sekiraqën për humbjen e familjarit të tyre.

Në këtë gjykim prapa dyerve të mbyllura për publikun u dëgjuan edhe dëshmitë e nënës dhe motrave të Adelina Ismailit por edhe shokë e ish koleg të të ndjerit Riza, si Besnik Hasani e Shpend Qerimi, të dy të dënuar për vepra penale të rënda.

Vëmendje e veçantë iu dha edhe dëshmisë së Arben Berishës në këtë proces gjyqësor.

Berisha në dëshminë e tij në pyetjet e shumta të prokurorit mohoi të ketë qenë i nxitur, shtyrë apo cfarëdo tjetër nga Enver Sekiraqa.

“Kush është ai njeri që vret për Enver Sekiraqën e kalon jetën në burg, a po ju dukem unë budallë a ?” tha i revoltuar Arben Berisha në pyetjet e prokurorit Carney.

Berisha në dëshminë e tij tha se disa herë ishte ndaluar dhe rrahur nga Riza e kjo u kundërshtua nga prokurori Carney.

Interesim shumë të madh zgjoi edhe një ekspertizë e bërë nga një toksikologe kosovare, e cila konstatoi se Triumf Riza ishte i dehur në momentin e vrasjes së tij. Ekspertja këtë konstatim e bëri në bazë të një përllogaritje që e realizoi në seancë. Ky konstatim u hodh poshtë nga një ekspertizë të cilën e bëri një institut nga Zagrebi i Kroacisë ndërsa prokurori Carney e cilësoi absurde dhe tragjike konstatimin e ekspertes vendore.

Pas dëgjimit të gjithë dëshmitarëve e dhe administrimit të të gjitha provave të paraqitura si nga mbrojtja e Sekiraqës në një anë dhe nga prokurori në anën tjetër, vendosi që t’jua falë besimin pretendimeve të këtij të fundit duke e dënuar me 27 vjet burg Sekiraqën.

Në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit gjeti të mbështetura pretendimet e mbrojtjes së Sekiraqës duke e prishur aktgjykimin dënues dhe duke kthtyer çështjen në rigjykim.

Lënda ndaj Enver Sekiraqës është transferuar te gjyqtarët vendorë pas kthimit në rigjykim nga Gjykata e Apelit në nëntor të vitit të kaluar dhe që nga atëherë ende nuk është mbajtur asnjë seancë.

Kur Gjykata e Apelit në nëntor të vitit të kaluar ktheu rastin në rigjykim, mori vendim që edhe lirojë Sekiraqën nga paraburgimi. Por ai nuk qëndroi më shumë se 30 orë jashtë grilave, ngase gjykata e ktheu shpejt në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.

KALLXO.com e ka përcjellë në tërësi gjykimin e Sekiraqës dhe dosja e plotë e këtij procesi mund të gjendet në këtë link.