Ilustrim

11-vjeçarja shpëtohet pasi tri ditë i kaloi në goma në Mesdhe

Një 11-vjeçare është shpëtuar pasi ishte mbajtur në goma të brendshme transporti për tri ditë mot të stuhishëm në Detin Mesdhe, ka raportuar më 11.12.2024 transmetuesi britanik, BBC.

Ekipet e kërkim-shpëtimit të organizatës joqeveritare, “Compass Collective”, kanë thënë se ishin rrugës për të kryer një operacion tjetër urgjent kur dëgjuan thirrjet e saj për ndihmë.

Vajzës që nuk i është bërë i ditur emri, por që dihet se është nga Sierra Leone, u ka thënë ekipeve se ajo ishte nisur bashkë me 44 persona të tjerë nga Stax në Tanzani. Barka e tyre ishte fundosur dhe të gjithë emigrantët besohet se kanë vdekur.

Mijëra emigrantë që mundohen të mbërrijnë në Europë, vdesin gjatë rrugëtimit të tyre të rrezikshëm përgjatë Mesdheut çdo vit.

Zëdhënësja e “Compass Collective”, Katja Tempel, i ka thënë BBC-së se ekipet e shpëtimit në bordin e “Trotamar III” e gjetën emigranten nga Sierra Leone, të veshur me një xhaketë të thjeshtë dhe me dy goma të brendshme mjetesh transporti rreth belit rreth orës 03:20 të mëngjesit të mërkurën.

Vogëlushja u ka thënë atyre se bark prej metali, në të cilin ndodheshin, ishte fundosur brenda pak sekondash pasi valë të fuqishme prej 3.5 metrash goditën mjetin e transportit. Ajo dhe dy persona të tjerë kishin shpëtuar fillimisht, por pas pak ajo humbi kontaktit me ta.

Ekipet e shpëtimit ua kanë dorëzuar vajzën autoriteteve italiane në ishullin Lampedusa, ku ajo është parë duke ecur dhe folur.

Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka bërë të ditur se rreth 31 mijë emigrantë kanë vdekur – ose mbesin të zhdukur – derisa janë munduar të këpusnin Mesdheun prejse ka nisur të mbajë të dhëna dhjetë vjet më parë.

Sipas të dhënave të agjencia së OKB-së për refugjatë, UNHCR, në Itali vetëm sivjet kanë hyrë më shumë se 63 mijë emigrantë.

Megjithatë numri ka nisur të bjerë edhe për shkak të politikave të ashpra të qeverisë djathtiste të kryeministres Giorgia Meloni.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com