Foto: ShSKUK, Facebook
11-vjeçari përbiu figurën e shahut, mjekët në QKUK ia heqin nga rrugët e frymëmarrjes
Një fëmije 11-vjeçar i është larguar një figurë e shahut nga rrugët e frymëmarrjes, pasi që kishte përbirë atë.
Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), fëmija ishte dërguar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare me vështirësi të theksuara në frymëmarrje dhe me saturim të oksigjenit -69.
“Nga Shërbimi Klinik Emergjent, i mbështetur me oksigjeno-terapi, transferohet në sallën e Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL) të QKUK-së, ku edhe bëhet Trakeobronkoskopia me bronkoskop rigjid dhe arrihet të largohet trupi i huaj (figurë shahu) nga rrugët e poshtme të frymëmarrjes” – thuhet në njoftim.
Ndërhyrja është vlerësuar si shumë e vështirë për shkak të dimensionit të madh të figurës dhe pozitës së tij në rrugët e frymëmarrjes.
Ekipi i ORL-së ishte i udhëhequr nga specialisti Refki Krasniqi, i mbështetur nga specialisti tjetër Arsim Elezaj, anesteziologet Dafina Kurti e Eranda Dragusha, tekniku i anestezisë Afrim Jashari dhe specializantët Dafina Restelica, Adelina Laçaj dhe instrumentarja Ganimete Sylemetaj.
Ndërkaq, ekipi i Emergjencës përbëhej nga doktori Kadri Çeta dhe teknikët Shkëlzen Bresilla e Arta Makolli.