11 të vdekur në Kinë pas shembjes së një çatie në një shkollë

Njëmbëdhjetë njerëz kanë vdekur kur çatia prej betoni e një gjimnazi shkolle u shemb në qytetin Qiqihar të Kinës – shumë prej tyre besohet se ishin volejbolliste të reja – me autoritetet e atjeshme që thonë se grumbullimi i paligjshëm i materialeve në çati mund të ketë shkaktuar shembjen.

Shembja në nr.34 në Shkolle e mesme në distriktin Longsha në Qiqihar, e vendosur në provincën verilindore Heilongjiang, u raportua herët pasdite të dielën, por personi i fundit i mbetur nuk u nxor nga rrënojat deri të hënën në mëngjes.

Në momentin e aksidentit ndodheshin 19 persona në gjimnaz, nga të cilët katër arritën të shpëtonin, thanë autoritetet e atjeshme.

Një ekip femrash volejbolli po stërvitej në gjimnaz kur ndodhi incidenti.

“Ekipi përbëhej nga nxënës të përzgjedhur nga klasa të ndryshme. Ata sapo ishin kthyer në shkollë disa ditë më parë pas një konkursi jashtë qytetit” – tha një dëshmitar okular për radion shtetërore.

Në një video që u bë virale në mediat sociale, një baba i zemëruar u ankua se qeveria e dërgoi policinë për të vëzhguar prindërit, por nuk dërgoi askënd që t’i informonte për fëmijët e tyre.

Ky rajon dhe disa pjesë të Kinës pati reshje të dendura shiu këtë fundjavë, duke shkaktuar dëme nga përmbytjet në disa zona.

Një hetim paraprak zbuloi se punëtorët e ndërtimit vendosën në mënyrë të paligjshme perlit, një mineral me përmbajtje të lartë uji dhe që mund të thithë ujin, në çatinë e gjimnazit gjatë ndërtimit të një godine mësimore ngjitur me gjimnazin, raporton Xinhua.

Nën shirat e vazhdueshëm, perliti thithi ujë dhe fitoi peshë, duke rezultuar në shembjen e çatisë, thanë mediat shtetërore.

Një hetim më i detajuar është duke vazhduar dhe individët në krye të kompanisë së ndërtimit janë marrë në paraburgim nga policia, sipas Xinhua./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala