Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

11 raste të dhunës në familje brenda 24-orëve të fundit

Gjatë ditës së djeshme në vend janë raportuar 11 raste të dhunës në familje.

Rastet janë shënuar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Partesh, Ferizaj, Shtime, Prizren, Pejë, Istog, Gjakovë e Malishevë.

Në Prishtinë, një grua ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga babai i saj.

Policia ka njoftuar se pas inicimit të rastit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti  vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Fushë Kosovë, një grua ka njoftuar Policinë, se pas një mosmarrëveshje verbale që kishte pasur me bashkëshortin e saj, është kanosur verbalisht nga ai. Viktima është strehuar te familjarët e saj, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.

Në Partesh është arrestuar i dyshuari, pasi i njëjti nuk ka respektuar urdhrin e gjykatës dhe ka shkaktuar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Policia ka shtuar se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Ferizaj, një person është arrestuar po ashtu për dhunë në familje. Ai dyshohet se nën ndikim të alkoolit ka sulmuar djalin e tij. Policia thotë se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Shtime një person është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me babanë e tij rreth blerjes së një veture, e kishte kanosur verbalisht atë. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Prizren, një grua ka informuar në Polici, se në vazhdimësi ka pasur presion psikik dhe fizik nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Policia njofton se nuk është raportuar për lëndime. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Në Pejë është arrestuar i dyshuari, pasi që në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Policia thotë se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje

Në Istog është arrestuar i dyshuari, pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht duke e goditur me grusht bashkëshorten e tij. Policia thotë se me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, kurse viktima është dërguar në strehimore.

Në Pejë dje janë arrestuar dy të dyshuar, pasi të njëjtit dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike tek një grua. Policia thotë se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Gjakovë është arrestuar një grua, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj. Policia thotë se viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.

Në Malishevë janë arrestuar dy të dyshuar( babai dhe djali), pasi të njëjtit kishin ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje, duke kërkuar nga ajo që të largohej nga shtëpia e përbashkët ku ata ishin duke jetuar.

Viktima është dërguar në strehimore.

Policia thotë se me urdhër të prokurorit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, kurse i dyshuari i dytë është liruar në procedurë të rregullt.