11 ditë pas zgjedhjeve, KQZ tërheqë nga Posta edhe 6 mijë pako me fletëvotime të supozuara të mërgatës

Para pak minutave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka tërhequr 6 mijë pako me fletëvotime të supozuara të mërgatës nga Posta e Kosovës.

Tërheqja e këtyre pakove është bërë 11 ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Dje, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, ka thënë për KALLXO.com se një kontigjent i pakove me fletëvotime nga diaspora ka arritur në Postën e Kosovës pas datës së zgjedhjeve, por të njëjtat nuk janë tërhequr nga KQZ-ja.

Ai ka deklaruar se zyrtarët e Postës së Kosovës kanë kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e KQZ-së që këto fletëvotime të tërhiqen, por KQZ nuk i marrë pakot me fletëvotime nga diaspora.

“Në afat ligjor, para datës së zgjedhjeve i kemi dorëzuar KQZ-së, i kemi edhe procesverbalet ndërsa pas datës së zgjedhjeve ka ardhur edhe një kontigjent tjetër me pako, diku rreth 6 mijë fletëvotime, janë të mbyllura në thasë. Unë menjëherë kam urdhëruar me i vulosë edhe me i regjistru. Ato nuk janë tërhequr nga KQZ përkundër që zyrtarët e Postës i kanë shkruar vazhdimisht përfaqësuesve të KQZ-së që të vijnë t’i marrin, ata nuk i kanë marrë. Jemi sot me datën 24 shkurt dhe ato pako qëndrojnë në Postën numër 6”, ka deklaruar dje Smakiqi për KALLXO.com.

Gjatë ditës së djeshme, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga KQZ se pse ende nuk janë tërhequr pakot me fletëvotime nga Posta e Kosovës. KQZ nuk është përgjigjur ndërsa sot ka shkuar dhe i ka tërhequr ato pako me fletëvotime nga Posta e Kosovës.

Në njërën nga mbledhjet e fundit, anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi kishte deklaruar se ka ende fletëvotime nga diaspora që po qëndrojnë nëpër postat e Kosovës.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, në bazë të numërimit preliminar, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 47,85% të votave. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ende është duke vazhduar vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga mërgata.

Deri më tani janë rinumëruar 33% e vendvotimeve apo 161 nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre.