Arkiv - Foto: Kallxo.com

105 mijë e 601 aplikime për viza pune në Gjermani brenda dy muajve

Mbi 105 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar brenda dy muajve për një termin për vizë pune në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.

Por vetëm 5 mijë e 500 viza pune do të lëshohen brenda vitit për kosovarët të cilët synojnë Gjermaninë.

“Brenda një viti kalendarik mund të lëshohen maksimalisht 25,000 miratime për aplikacione të tilla, 5,500 në vit nga të cilat për aplikues nga Kosova. Ky numër korrespondon deri diku me numrin e vizave të kësaj kategorie të lëshuara para pandemisë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për KALLXO.com

Nga kjo ambasadë kanë thënë se për shkak të kërkesës tejet të madhe për terminë për viza me qëllim fillimin e punësimit që nga dhjetori ka ndryshuar edhe mënyra e aplikimit për një termin.

“Për shkak të kërkesës tejet të madhe për termine për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila i tejkalon dukshëm terminet që janë në dispozicion dhe për të siguruar mundësi të barabarta gjatë aplikimit për një termin, që nga dhjetori i vitit 2021 këto termine jepen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit. Për procedurën e shortit në dhjetor të vitit 2021 ambasada i ka pranuar 56,639 aplikime dhe në janar të vitit gjithsej 48,962 aplikime”, thekson ambasada gjermane.

Që nga dhjetori i vitit 2021, terminët për viza pune në Gjermani jepen përmes shortit.

Gjatë vitit të kaluar KALLXO.com ka raportuar për blerjen e termineve për viza pune nga qytetarët.

Ata kanë treguar se persona të caktuar u kanë ofruar termin porse për këtë u kanë kërkuar shumë të majme parash.

Nga ambasada në atë kohë kishin thënë se nuk kanë informacione për shitje të termineve.

“Ndonëse thashethemet na janë të njohura, ambasada deri tani nuk ka informata konkrete lidhur me rastet e tilla. Rezervimi i termineve nëpërmjet sistemit të termineve është gjithmonë falas. Të gjitha terminet që janë në dispozicion janë të dukshme në portalin përkatës dhe mund të rezervohen nga gjithsecili. Agjencitë, apo kompanitë e udhëtimeve nuk kanë qasje në më shumë termine, në terminet e mëhershme, apo në termine të tjera, të cilat janë në dispozicion dhe mund të rezervohen online nga secili edhe vetë”, ka thënë ambasada e Gjermanisë në Kosovë.