Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons
104 specializantë të rinj pritet të fillojnë shkollimin specialistik
104 mjekë specializantë të rinj do të fillojnë shkollimin e tyre specialistik në institucionet publike shëndetësore, ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ministri thotë se pas përfundimit të konkursit të tretë me radhë për këtë shkollim, po vazhdojnë me përgatitjet për konkursin e ardhshëm.
Tri kriteret bazë të këtyre konkuseve, siç ka thënë Vitia janë kuadri deficitar, kapacitetet mentoriale dhe infrastrukturore.
“Po instalohet rregull, transparencë dhe stabilizim i resurseve profesionale” – ka shkruar Vitia në Facebook më 03.08.2024.
Ai ka njoftuar se konkursi për shkollim specialistik në institucionet private shëndetësore vazhdon të jetë i hapur, duke shtuar se për herë të parë kanë vendosur kritere e rregulla të reja bazuar në përgatitjet e kualifikimet e kandidatëve.
“Këto ndryshime synojnë të sigurojnë një proces më cilësor dhe transparent, duke vendosur kritere sikur në institucionet publike ashtu edhe në ato private” – ka thënë Vitia.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se specializantët me vetëfinancim i kanë mbi 1 milion euro borxh Ministrisë së Shëndetësisë prej vitit 2020 e tutje.