Foto: KALLXO.com.

103 filma garojnë në tetë programe të 'DokuFest 2024'

Edicioni i 23-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filim Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest” do të mbahet nga 2 deri më 10 gusht 2024, në Prizren.

103 filma nga vende të ndryshme të botës do të shfaqen në tetë programet garuese në edicionin e sivjetëm të “DokuFestit”. Filmat do të shfaqen në 5 kinema në ambient të hapur dhe 4 kinema të mbyllura në qytetin historik të Kosovës.

Drejtoresha ekzekutive e “DokuFestit”, Linda Llulla ka thënë në një bisedë për KALLXO.com, se përgatitje për fillimin e edicionit të 23-të të festivalit kanë përfunduar. “Për momentin jemi duke i finalizuar ndërtimet e kinemave dhe pjesët tjera logjistike dhe teknike, si: skenat, zërimi dhe testimi i filmave”- ka thënë ajo.

Edhe këtë edicion nuk do të mungojë prezenca e kineastëve të njohur ndërkombëtar. Ndërsa do të ketë edhe një numër të madh të artistëve dhe filmbërësve nga Ukraina.

Llulla ka thënë se edhe përgatitjet për edicionin e sivjetëm janë përcjellë me sfida, sidomos financiare.

“Sfida kryesore, e cila na përcjell çdo vit, janë financat dhe mjetet të cilat po vonohen dhe na vështirësojnë organizimin, blerjen e biletave për mysafirët dhe organizimin në përgjithësi”- ka thënë drejtoresha ekzekutive e “DokuFestit”, Llulla.

Linda Llulla, drejtoreshë ekzekutive e “DokuFestit”. Foto: “DokuFest”.

Filmat garues

Drejtoresha Llulla ka bërë të ditur se për pjesëmarrje në edicionin e sivjetëm të “DokuFestit” kanë aplikuar 3,325 filma nga 119 vende, por, për programin garues janë zgjedhur 103 filma.

“Gjithsej 3,325 filma nga 119 vende nga e gjithë bota janë dorëzuar për shqyrtim, nga të cilët ekipi programues i festivalit ka përzgjedhur 103 filma në tetë programe garuese, me një numër filmash që do të kenë premierat e tyre botërore, ndërkombëtare dhe europiane, duke bërë ‘DokuFest’ një platformë e rëndësishme e shfaqjeve në këtë pjesë të botës, si për filmat dokumentarë ashtu edhe për filmat e shkurtër”- ka thënë Llulla për KALLXO.com.

Sipas saj, në total gjatë 9 ditëve të festivalit do të shfaqen rreth 250 filma.

Ajo ka thënë se programi i këtij viti i “DokuFestit” do të mbahet në 5 kinematë në ambient të hapur dhe 4 kinema të mbyllura, ku do të ketë shfaqje të filmave pjesëmarrës prej orës 10:00 deri në mesnatë.

“Pjesa e kinemasë së ‘Lumbardhit’ do të jetë edhe vendi ku do të mbahen panelet e diskutimeve çdo ditë prej orës 17:00 dhe hapësirat e ITP-së (Innovation and Training Park) ku do të mbahen aktivitetet e ‘Dokukids’ dhe ‘DokuTech’”- ka thënë ajo.

Emra të njohur kinematografisë si: Anna Henckel, udhëheqëse e seksionit të filmave të shkurt në Berlinale, “Berlinale shorts” e film bërës nga Taivani, Ukraina, Gjermania, Austria e shumë vende tjera nga mbarë bota do të jenë pjesë e “DokuFest 2024”.

Kurse programet si “Focus Ukraine” dhe “Films on Palestine” janë programet me fokus të vençatë në këtë edicion të këtij festivali.

“Në kuadër të programit për Ukrainën do të kemi këtu në Prizren një numër të madh të artistëve dhe filmbërësve nga Ukraina. Në kuadër të këtij fokusi do të kemi dhe një ekspozitë e cila do të hapet më 05 gusht (2024) në oborrin e objektit të Shani Efendisë në kuadër të ‘DokuPhoto’”- ka thënë Linda Llulla, drejtoreshë ekzekutive e “DokuFestit”.

Netët e “DokFestit”

Edhe këtë edicion nuk do të mungojnë performanca artistike në kuadër të programit “DokuNights”.

Performancat në kuadër të “DokuNights” të mbahen në “Kino Lumbardhi” dhe në “Sonar Cinema” (Kinemaja në Kala).

“Si një performancën të veçantë e kisha përmend një bend nga Palestina, i cili ka me performua më 3 gusht në ‘Lumabrdh’ dhe një performancën tjetër interesante është edhe nga rupi  ‘Efterklang’ nga Danimarka”- ka thënë Llulla për KALLXO.com.

Ndërkaq mbyllja e festivalit “DokuFest 2024” sipas Llullës do të bëhet me interpretimin e perlave muzikore shqipe nga Orkestra “Shkodra” me këngëtarin Agim Molla.

“DokuFest” është themeluar më 2002 dhe është konsiderohet si festivali më i madh i filmit në Kosovë.

Nga viti 2019, “DokuFest” ka fituar statusin e vlerësuar si një festival kualifikues për BAFTA për filma të shkurtër, dhe në vitin 2022 u caktua si një festival nominues për Akademinë prestigjioze Europiane të Filmit.