"100 euro personi" PD denoncon skemën si u ble vota në qarkun e Pukës, e di dhe SPAK

Partia Demokratike denoncon atë që e quan skemë kriminale të aleancës Rama-Doshi në zonën e Pukës.

Enkelejd Alibeaj në një prononcim për median nga selia PD-së tha në krye të skemës kriminale qëndron Benet Beci, I cili në zgjedhjet e 25 prillit fitoi mandatin e deputetit të PS-së dhe për këtë SPAK thotë se është në dijeni.

“Benet Beci, kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Tom Doshi, kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe kandidat në këtë qark, Mark Frroku, ish deputet aleat i Ramës, me rekorde kriminale, Gjon Gjoinaj, Kryetar i Bashkisë Pukë dhe disa nëpunës të tjerë dhe persona privatë kanë vepruar si bashku si një grup i struktuar kriminal për blerjen e votës me 100 euro për person në zonën e Pukës,“ tha Alibeaj

Si funksioni skema sipas PD

Në Gjergjan të Pukës, Mark Frroku ka organizuar familjen Luka për blerjen e votave,

Në Rrapë anëtarë të familjes Lasku,

Në Qerret administratorin e njësisë Martin Përdedaj,

Në Qelëz ka angazhuar për blerjen e votave Administratorin e Njësisë, Florin Kolaj, këshilltarin bashkiak Arben Guga dhe shoferin e kryetarit të Bashkisë Pukë, Sokol Frroku.

Në qytetin e Pukës, ka patur disa pika shpërndarje të parave për blerjen e votës, kryesisht lidhje familjare të Mark Frrokut apo punonjës në pronat e kryebashkiakut të Pukës, Gjon Gjoni.

Në Fierzë skema kriminale e blerjes së votave është drejtuar nga Benet Beci, në cilësinë e Drejtorit të KESH-it dhe nga Vasil Musliu, Drejtor i Hidrocentralit në Fierzë.

Në Fushë Arrëz, skema kriminale e blerjes së votave dhe e shpërndarjes së parave organizohet nga vetë Tom Doshi.

PD thotë se në 16 prill është kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion krimi elektoral i blerjes së votave në zonën e Pukës nga njerëzit e Edi Ramës dhe vetë Tom Doshi.

“Për të gjitha këto informacione SPAK është vënë në dijeni dhe ka heshtur. Nëse do të kishte bërë detyrën, do të kishte zbuluar se pikërisht në këtë zonë, pak orë zgjedhjeve, policia ka kapur në flagrancë një furgon të Partisë Socialiste, që shpërndante para dhe është urdhëruar nga eprorët ta lirojë menjëherë“ u shpreh Alibeaj.

PD vijon denoncimet për atë që e quan ‘maskaradë elektorale” të 25 prillit. oranews