100 ditë të Qeverisë Hoti: Shumë zëvendësministra, pak gra, pak testime dhe shumë infektime e vdekje nga COVID-19

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur konferencë për vlerësimi e 100 ditëve të Qeverisë Hoti.

Arbëresha Loxha, drejtore ekzekutive në GLPS, ka bërë të ditur se Qeveria Hoti është Qeveria Hoti, e dyta për nga numri më i madh i zëvendësministrave në 13 vitet e fundit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës pati premtuar një qeveri të vogël me 12 ministri dhe në maksimum prej 24 zëvendësministrash, por e njëjta ka përfunduar duke dyfishuar numrin e zëvendësministrave, përkatësisht nga 24 në 46, si dhe njëkohësisht ka shtuar dy ministri në krahasim me qeverinë e kaluar”, ka thënë Loxha.

Tutje ajo ka thënë se kjo qeveri gjithashtu karakterizohet me pabarazi gjinore.

“Kabineti i Qeverisë Hoti gjithashtu karakterizohet me pabarazi gjinore, si në pozitat e ministrave ashtu edhe në atë të zëvendësministrave, përkatësisht nga 16 ministri ka vetëm tre gra, ndërsa në 46 zëvendësministra, vetëm 8 prej tyre janë gra”, është shprehur Loxha.

Në anën tjetër, Njomza Arifi, menaxhere e programeve në GLPS, ka thënë se qeveria ka dështuar të sigurojë testime, duke kufizuar testimet për personat me simptoma të forta ose duke selektuar figurat publike.

“Sa i përket menaxhimit me pandeminë në 100 ditët e para të Qeverisë Hoti, Kosova ka qenë një nga vendet më vdekjeprurëse. Sa i përket coronavirusit, numri i pamjaftueshëm i testimeve, mungesa e gjurmimit të kontakteve, strategjia e mangët e komunikimit, mungesa e kontrollit të ilaçeve janë disa nga vendimet që kanë çuar në numër më të lartë të infeksioneve, pastaj edhe të vdekjeve në 100 ditët e para të qeverisë Hoti”, ka thënë ajo.