100 ditë luftë në Ukrainë

Pas muajsh grumbullimi dhe mohimesh të shumta se po planifikonte ndonjë pushtim të Ukrainës, Vladimir Putini njoftoi më 24 shkurt se kishte nisur një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denazifikimin” e Ukrainës.

Analistët perëndimorë prisnin një pushtim të shpejtë rus të Ukrainës dhe duket se ka pasur vërtet përpjekje nga Rusia për ta shënjestruar drejtpërdrejt presidentin ukrainas, Volodomyr Zelenskiy, ndoshta në mënyrë që ta zëvendësojë qeverinë e tij me një tjetër që i nënshtrohet vullnetit të Moskës.

Mirëpo, nëse Putini priste një luftë të shpejtë dhe të lehtë me pak përballje ukrainase ose ndërkombëtare – sikurse kishte ndodhur kur kishte pushtuar Krimenë në vitin 2014 – kësaj radhe ka mbetur i zhgënjyer. Lufta ka rezultuar me sanksione kundër Rusisë, aplikime për anëtarësim në NATO nga Suedia dhe Finlanda, dhe me rritje çmimesh të karburanteve dhe ushqimeve në vendet me mijëra kilometra larg zonës së konfliktit. 

Sot është dita e 100 e invazionit rus në Ukrainë dhe zhvillimet më të fundit në dhe rreth këtij invazioni janë si në vijim: 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dërgojnë Ukrainës katër sisteme raketore të sofistikuara me rreze të mesme dhe municione për ta ndihmuar në përpjekjen e saj për ta penguar përparimin rus në rajonin e Donbasit. Sistemet e raketave janë pjesë e një kësti të ri prej 700 milionë dollarësh të asistencës së sigurisë që përfshin gjithashtu helikopterë, sisteme armësh antitank Javelin, radarë, automjete taktike, pjesë këmbimi dhe më shumë. Do të duhen të paktën tri javë për ti dërguar armët precize dhe trupat e trajnuara në fushën e betejës, tha Pentagoni.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se furnizimi me sisteme raketore të avancuara të SHBA-së në Ukrainë rrit rrezikun që një “vend i tretë” të futet në konflikt. Zëvendësi i Lavrov, Sergei Ryabkov, tha se Moska e shikon ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën “jashtëzakonisht në mënyrë negative” dhe se kjo do ta rriste rrezikun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov shtoi: “Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara me qëllim po i hedhin benzinë zjarrit.”

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se Ukraina ka dhënë “garanci” se nuk do t’i përdorë sistemet e armëve me rreze të gjatë të ofruara nga Uashingtoni kundër objektivave në territorin rus.

Sipas Politico, pas njoftimit të Presidentit Joe Biden, Britania e Madhe thuhet se i ka kërkuar SHBA-së ta nënshkruajë një plan për të dërguar sisteme të avancuara raketash me rreze të mesme veprimi në Ukrainë brenda disa javësh. Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, foli me Biden për transferimin e sistemeve të raketave të shumta M270 të prodhuara në SHBA, i cili do të pasohet nga një diskutim midis sekretares së tij të jashtme, Liz Truss dhe Blinken të enjten. 

Sipas guvernatorit rajonal të Luhansk, forcat ruse tani kontrollojnë më shumë se dy të tretat e qytetit kyç lindor të Ukrainës, Sievierodonetsk. “Fatkeqësisht, sot, trupat ruse kontrollojnë pjesën më të madhe të qytetit,” tha Serhiy Gaidai, duke shtuar se një numër civilësh po strehohen nga bombardimet ruse nën një fabrikë kimike. Humbja e pritshme e Sievierodonetsk, qyteti më i madh që mbahet ende nga Kievi në rajonin e Luhanskut, “nuk ka gjasa të jetë thelbi” i fushatës së Donbasit të Rusisë, tha një zyrtar perëndimor.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, pranoi se forcat e Kievit aktualisht po pësojnë deri në 100 viktima dhe 500 të plagosur çdo ditë. Situata më e vështirë është në lindje të Ukrainës dhe në jug të Donetskut dhe Luhanskut, tha Zelenskiy në një intervistë për kanalin televiziv amerikan Neësmax. Zyrtarët perëndimorë thanë se vlerësimi nga ana Ukrainës po humb 60 deri në 100 trupa në ditë është “shumë i besueshëm”.

Kremlin zyrtar ka deklaruar se e ka përfunduar testimin e raketës së saj hipersonike të lundrimit Zircon dhe do ta vendosë atë para fundit të vitit në një fregatë të re të Flotës së saj Veriore. Presidenti Vladimir Putin e ka përshkruar Zircon si pjesë e një gjenerate të re të sistemeve të armëve të pakrahasueshme, që udhëton me nëntë herë shpejtësinë e zërit.

Trupat ruse janë akuzuar për kryerjen e akteve të torturës kundër banorëve në rajonin Kherson të kontrolluar nga Rusia në Ukrainën jugore. BBC ka mbledhur dëshmi të shumta të dorës së parë nga banorët e Khersonit, të cilët thonë se janë torturuar teksa ishin në duart e forcave ruse.

Danimarka ka votuar me shumicë dërrmuese për t’iu bashkuar politikës së përbashkët të mbrojtjes të BE-së, duke u bërë e fundit nga anëtarët e bllokut të BE-së. Referendumi i të mërkurës, në të cilin votuesit mbështetën propozimin e qeverisë me 66.9% kundrejt 33.1%, pasoi pas aplikimeve historike nga fqinjët nordikë më parë të paangazhuar të Danimarkës, Finlandës dhe Suedisë, për t’u bashkuar me NATO-n muajin e kaluar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se do ta thërrasë një takim në Bruksel në ditët në vijim me zyrtarë të lartë nga Suedia, Finlanda dhe Turqia për ta diskutuar kundërshtimin e Turqisë ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në aleancë. Blinken tha se kishte një “konsensus të fortë brenda NATO-s, gjerësisht, për ta mbështetur pranimin e shpejtë të Suedisë dhe Finlandës” në NATO dhe është i bindur se do të kjo do të ndodhte./The Guardian