10 të vdekur me COVID-19 në 24 orët e fundit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se 10 persona kanë vdekur në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e infeksionit me coronavirus.

Në mesin e të vdekurve është edhe një 61 vjeçar nga Mitrovica.

“Brenda 24 orëve janë raportuar 10 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 2 raste (87, 76 vjeç), Mitrovicë 2 raste (81, 61 vjeç), Pejë 2 raste (84, 73 vjeç), Deçan 1 rast (76 vjeç), Kamenicë 1 rast (73 vjeç), Lipjan 1 rast (84 vjeç) dhe Podujevë 1 rast (82 vjeç)”, thuhet në njoftim.

Tutje, është bërë e ditur se 793 raste të reja janë regjistruar në nivel vendi përderisa 755 qytetarë janë shëruar nga COVID-19.

Rasti i parë me COVID-19 në Kosovë është regjistruar më 13 mars 2020.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në vitin 2019.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.