10 rastet e reja me COVID-19 janë nga këto komuna të Kosovës

Në Kosovë sot është dita e dytë që janë shënuar më shumë raste të pacientëve të shëruar sesa të infektuar me COVID-19.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë bëri të ditur se sot janë konfirmuar 10 raste të reja me coronavirus, përderisa 31 pacientë janë shëruar.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dhënë detaje rreth rasteve të reja me COVID-19.

Sipas Institutit, rastet pozitive janë raste kontakti nga komuna e Kamenicës: 5 raste në Poliçkë; komuna e Vitisë – 3 raste në Ramjan dhe nga 1 rast në Mollopolc (Shtime) dhe në Rahovec.

Instituti ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 232, 790 të infektuar dhe 22 viktima.

“Nga data 08 shkurt deri më 28 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 6.955 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej shtatëqind e nëntëdhjetë (790) raste, ndërsa gjithsej njëzet (22) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim.

Në IKSHPK thuhet se në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.