10 raste të dhunës në familje raportohen në 24 orët e fundit në Kosovë

Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24-orët e fundit.

Lidhur me këto raste, janë arrestuar tetë persona të dyshuar.

Në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht një grua.

Sipas raportit policor, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Drenas, pas raportimit të një gruaje, Policia ka arrestuar një burrë i cili dyshohet se në gjendje të dehur ka shkaktuar probleme në shtëpi duke demoluar orenditë.

I dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Lipjan, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë i dyshuar.

Sipas Policisë dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë gjithashtu është raportuar një rast i dhunës në familje, ku një grua ka raportuar në Polici se pas një mosmarrëveshje një burrë i dyshuar, i ka shkaktuar dhunë psikike një gruaje.

Lidhur me rastin, Policia njofton se i dyshuari është arrestuar dhe nga i njëjti është konfiskuar një pistoletë me leje përkatëse dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje .

Në Podujevë, një grua ka raportuar në Polici se një burrë i dyshuar ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj saj, përderisa rasti është nën hetime.

Një rast i ngjashëm është raportuar të ketë ndodhur edhe në Novobërdë, ku një grua ka raportuar në Polici se një burrë i dyshuar pas një mosmarrëveshje i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Në Gjilan, forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se kishte kanosur disa persona dhe kishte demoluar gjësende nëpër shtëpi.

Sipas raportit policor, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës është raportuar të ketë ndodhur po ashtu në Gjilan, ku një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale, përmes mesazheve është kanosur nga një person.

Policia më pas ka arrestuar të dyshuarin i cili pas intervistrimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Prizren, një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se pas fjalosjes me një person të dyshuar, i njëjti ka demoluar shtëpinë dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes

Sipas Policisë, lidhur me rastin është informuar prokurori, rasti është duke u hetuar.

Në Malishevë, një grua ka pranuar tretman mjekësorë pasi e njëjta pas një mosmarrëveshje verbale, është sulmuar fizikisht nga burrë i dyshuar.

Sipas raportit të Policisë, lidhur me rastin palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.