10 pacientë nga Shqipëria me COVID-19, po trajtohen në ShSKUK

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se pesë pacientë nga Shqipëria të cilët janë të infektuar me coronavirus janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit si dhe pesë të tjerë po marrin trajtim mjekësorë në Spitalin e Gjakovës.

ShSKUK gjithashtu bënë të ditur se klinikat dhe spitalet rajonale janë duke u trajtuar 88 pacientë, 52 prej tyre janë duke u asistuar me oksigjeno- terapi ndërsa tre të tjerë janë në kujdesin intensiv pasi gjendja e tyre shëndetësore është e rënduar.

Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 17 pacientë, në Mjekësinë Sportive katër, në Pulmologji 26 të tillë si dhe në mjekim intensive janë katër pacientë.

Ndërsa sa i përket spitaleve rajonale, ShSKUK bënë të ditur se nga tetë pacientë janë duke u trajtuar në Spitalin e Gjakovës, gjashtë në atë të Mitrovicës si dhe 11 në Spitalin e Ferizajt.

Ministria e Shëndetësisë në raportin e ditës së djeshme ka njoftuar se 35 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me SARS-CoV-2 gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa nuk është evidentuar ndonjë i vdekur.

Aktualisht në nivel vendi janë 924 raste aktive me COVID-19.

Deri më tani në Kosovë coronavirusi ka prekur 160 mijë e 495 qytetarë prej tyre 2 mijë e 973 kanë vdekur.

COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes.

Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.