Foto: Ilustrim

10 pacientë me coronavirus vdesin nga zjarri në një spital në Rumani

Të paktën 10 njerëz kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar rëndë dje nga një zjarr në një spital që trajton pacientë me coronavirus në Rumani.

Zjarri shpërtheu në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit publik në qytetin verilindor të Piatra Neamt, transmeton rtv21.tv.

Një mjek që u përpoq të shpëtonte pacientët thuhet se ishte në një gjendje kritike pasi pësoi djegie serioze.

Ministri i Shëndetësisë i Rumanisë, Nelu Tataru tha për mediat vendore se zjarri ”ka mundësi të jetë shkaktuar nga një lidhje e shkurtër”.

Tetë prej viktimave thuhet se vdiqën në dhomën ku shpërtheu zjarri në katin e dytë dhe dy të tjerë, në një dhomë pranë tij.

Të gjithë kanë qenë duke marrë trajtim për coronavirus, shumë prej tyre në ventilator.

Zjarri besohet se u përhap më shpejt pasi mori oksigjen nga pajisjet e përdoruara për pacientët e intubuar./21Media