
10 nga 80 bursat komunale për studentë nuk janë ekzekutuar ende - Komuna e Klinës thotë se do t'i ekzekutojë deri në fund të janarit
10 nga 80 bursat e Komunës së Klinës për studentë ende nuk janë ekzekutuar, edhe pse lista e përfituesve është publikuar që nga muaji dhjetor 2024. Drejtoria e Arsimit e Komunës së Klinës ka thënë për KALLXO.com se 10 nga 80 bursat nuk janë ekzekutuar ende për shkak të arsyeve teknike.
Sali Berisha, zyrtar për Karrierë në Komunën e Klinës, ka thënë se deri më 31.01.2025 do të bëhet pagesa e bursave që nuk janë ekzekutuar.
“Nga 80 bursat që Drejtoria e Arsimit i ka paraparë për vitin 2024 (2025), 70 nga to janë ekzekutuar, ndërsa për 10 të tjera, për shkak të arsyeve teknike, pagesa do të bëhet deri më 31 janar.” – ka thënë Berisha për KALLXO.com, më 30.01.2025.
Konkursi për ndarjen e bursave për studentët e Komunës së Klinës është publikuar më 23.10.2024 dhe ka qenë i hapur për aplikim deri më 07.11.2024. Kurse, lista përfundimtare e përfituesve të bursës komunale në Klinë është publikuar më 05.12.2024.
Sipas Konkursit të datës 23.10.2024, bursa komunale u është ndarë 80 studentëve të Klinës, në vlerë 50 euro në muaj për një kohëgjatje njëvjeçare për vitin akademik 2024/2025. Pra, gjithsej studentët klinas përfitojnë 600 euro nga kjo bursë. Për vitin akademik 2024/2025 janë ndarë 20 bursa më shumë, se sa ishin ndarë në vitin akademik 2023/2024.
Zyrtari për Karrierë në Komunën e Klinës, Sali Berisha ka shpjeguar po ashtu se nuk kanë kufizime në notën mesatare të kërkuar për studentët që studiojnë në drejtimet deficitare: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, drejtimet e Matematikës dhe Fizikës në profilin arsimor.
Po ashtu sipas Konkursit, studentët përfitues nuk duhet të jenë përfitues të ndonjë burse tjetër nga buxheti i Kosovës dhe të mos jenë të punësuar në institucione publike.
“Studenti përfitues i bursës obligohet ta kthejë bursën e Komunës, nëse konstatohet se merr bursë nga ndonjë njësi tjetër buxhtore.” – thuhet në Konkursin e datës 23.10.2024 të Komunës së Klinës.
Berisha ka thënë se sipas Rregullores komunale për ndarjen e bursës, e drejta për aplikim për bursë komunale nuk i takon studentëve të Kolegjeve private.
Edhe pse nga dokumentacioni që kërkojnë nuk identifikohet përkatësia nacionale, Berisha thotë se kanë informacione zyrtare se ka përfitues të bursës komunale edhe nga komunitetet. KALLXO.com e ka pyetur edhe nëse ka studentë me aftësi të kufizuara përfitues të bursës.
“Përfitues të bursës mund të jetë çdo student i Komunës së Klinës në studimet bachelor, pa asnjë diskriminim në lidhje me përkatësinë nacionale, gjinore, statusin familjar ose aftësinë fizike. Ndërsa, sa u përket studentëve me aftësi të kufizuara, ata kanë përparësi në vlerësim, në kushte të barabarta. Sipas dokumentacionit, nuk kemi pasur aplikues nga kjo kategori.” – ka treguar Berisha.
KALLXO.com do t’ju mbajë të informuar për ekzekutimin apo mosekzekutimin e bursave të mbetura pa paguar, sipas afatit që ka njoftuar DKA – Klinë.