10 muaj burg, personit që kanosi me vrasje ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë

Imer Gashi u shpall fajtor dhe u dënua me dhjetë muaj burgim, për veprën penale “Rrezikim i personave me mbrojtje ndërkombëtare”. Ai e pranoi fajësinë duke thënë se është penduar për veprën e bërë.

“Pendohem për veprën penale të cilën e kam kryer, njëkohësisht kërkoj falje në emrin tim e të familjes. Njëherësh deklaroj se kurrë nuk do ta përsëris një veprim të tillë. Është hera parë që kam rënë ndesh me ligjin, andaj kërkoj nga Gjykata që të shqiptoj një dënim sa më të butë të mundshëm”, deklaroi i akuzuari Imer Gashi.

Prokurori i rastit Afrim Shefkiu si dhe gjyqtari Vesel Ismaili, pranuan pranimin e fajësisë së të akuzuarit.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Leart Kryeziu kërkoi nga gjyqtari i çështjes, që të pandehurit t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe ndaj tij të shqiptohet ndonjë dënim alternativ.

Prokurori i rastit Afrim Shefkiu tha se mbetet nën vlerësimin e Gjykatës për propozimin e mbrojtësit.

Pas përfundimit të shqyrtimit fillestar, Gjykata bëri shpalljen e aktgjykimit ndaj të pandehurit Imer Gashi.

Gjykata shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Imer Gashi, për veprën penale “Rrezikim i personave me mbrojtje ndërkombëtare”, me burgim prej 10 muajsh, duke i llogaritur këtu edhe kohën e kaluar në paraburgim prej datës 16 qershor 2021. I njëjti është obliguar që t’i paguaj shpenzimet procedurale të gjykatës.

Gjithashtu është marr vendim për ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Sipas aktakuzës Imer Gashi me datë 16 qershor 2021, me paramendim dhe me dashje, përmes telefonit të tij nga e-mail adresa e tij personale, në adresën zyrtarë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka kanosur seriozisht ambasadorin dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade, se po që se nuk ndërmarrin veprime për çështjen e sigurisë në Kosovë, për parandalimin e grupeve kriminale, do ta vrasin ambasadorin.