Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

10 milionë euro dividentë për shtetin nga KEK-u në vitin 2021

Për dallim nga dy vite më parë, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në vitin e kaluar buxhetit të shtetit i ka dhënë 10 milionë euro dividendë. Në vitet 2020 dhe 2019, pagesa e dividendes ishte zero.

Sa dyfishi i dividendës së KEK-ut, buxhetit të shteti i kishte dhënë edhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT).

Shuma e dividentës me të cilën KOSTT-i kishte kontribuar buxhetit të shtetit ishte 20 milionë euro.

Mirëpo këtë shumë të mjeteve Qeveria e Kosovës ia kishte kthyer pas KOSTT-it.

Në mbledhjen e 23 dhjetorit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që t’i kthejë ndërmarrjes publike KOSTT dividendën prej 20 milionë euro, pas kërkesës së kësaj të fundit drejtuar ekzekutivit.

Paratë iu kthyen mbrapsht KOSTT-it për shkak të krizës që kishte kapluar sektorin energjetik në fund të vitit të kaluar dhe fillim të këtij viti.

“Kemi miratuar një vendim për kthim të dividendës ndaj ndërmarrjes KOSTT, që shënon hap tjetër pas atij për ndarjen e 20 milionë eurove për KEK-un. Kësaj here po bëjmë kthimin e një shume të ngjashme në ndërmarrjen KOSTT, që të ndihmohet likuiditeti i sektorit energjetik në vend, marrë parasysh që për shkak të rritjes së importit dhe dhe çmimeve në treg, sektori energjetik po përjeton krizë sa i përket likuiditetit të mjeteve”, kishte thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) në komentet e saj ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ishte ankuar se pagesat që është duke i bërë për enegjinë elektrike të shpenzuar në veri të Kosovës janë duke e çuar drejt falimentimit.

Sipas tyre, kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 ka arritur vlerën prej 40,849,659 euro.

“Detyrimi i vendosur nga ZRrE përmes Licencës për Operatorin e Sistemit të Transmetimit për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës duke mos përfshirë të hyrat për koston e kësaj energjie e ka sjellë KOSTT-in në prag të falimentimit”, thuhet në komentin e KOSTT-it.

Dividenda është pjesa e fitimit që u shpërndahet bashkëpronarëve, përkatësisht aksionarëve të shoqërisë. KEK-u është ndërmarrja kryesore energjetike në vend. Ajo është e integruar vertikalisht dhe është korporatizuar në fund të vitit 2005. Asetet e Korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë.