Foto: KALLXO.com
10 dëshmitarë dëshmuan në gjykimin e 4 të akuzuarve për disa grabitje të armatosura
Dhjetë dëshmitarë kanë dëshmuar të enjten, më 08.08.2024, në gjykimin e Arton Sekiraqës, Flamur Mulës, Xhevdet Salihut dhe Fitim Munishit, të cilët po akuzohen për raste të grabitjeve që kanë ndodhur gjatë vitit 2023.
Gjatë dëshmisë së saj, Arbenita Pllana ka dhënë detaje rreth rastit të grabitjes në pompën e derivateve “Shell” që gjendet në Shkajbaj, buzë magjistrales Prishtinë-Mitrovicë.
Dëshmitarja tregoi se ka qenë në ndërrimin e natës si arkatare në market bashkë me një koleg të saj dhe rreth orës 03:15 të mëngjesit ka ardhur një veturë me shpejtësi shumë të madhe. Ajo tha se kishin menduar se ishin myshterinj dhe në momentin që janë nisur për t’u shërbyer kanë parë dy persona të maskuar, të dy kanë pasur armë.
Tutje dëshmitarja tregoi për momentet kur grabitësit kishin hyrë brenda dhe ua kishin marrë të hollat nën kërcënimin e armëve. Ajo tha se grabitësit ua morën rreth 800 euro.
Për grabitësit, dëshmitarja tha se kishin qenë të veshur me të zeza dhe kishin doreza në duar dhe dorezat e punësi i kanë pasur të veshura në këmbë.
Më pas dëshmoi Taulant Shala. Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Dulina Hamiti rreth ngjarjes në pompën e derivateve “Alfa Trade” në fshatin Qallapek të Lipjanit më 18.09.2023, dëshmitari tregoi se kishte qenë në ndërrim me kolegun e tij Fisnik Mustafa dhe rreth orës 02:00 ose 02:20 pas mesnatës ka ardhur një veturë me shpejtësi jonormale.
“Ka qenë ‘Golf 6’, ngjyra e kaltër dhe në fillim kemi mendu që ka qenë konsumator deri sa ky kolegu im është çu nga karrigia dhe ka dalë me u shërby por në momentin kur kanë dalë nga makina e ka pa që kanë qenë me maska edhe u kthy nga unë edhe më ka tregu që kanë hy hajna” – tha dëshmitari Shala.
Tutje dëshmitari rrëfeu se janë ndier shumë të kërcënuar dhe shuma që u është marrë nga kjo grabitje ka qenë përafërsisht 1,300 ose 1,400 euro.
Dëshmitari tjetër i cili dha dëshminë para Gjykatës ishte Milaim Jerliu, i cili kishte qenë në natën kritike së bashku më të dëmtuarën Arbenita Pllana në pompën e derivateve “Shell”.
Dëshmitari dha version të ngjashëm me të dëmtuarën Arbenita Pllana për natën kritike të datës 31.08.2023.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Fitim Munishi, avokati Imer Beka, se a mund t’i identifikojë të akuzuarit, Jerliu deklaroi se nuk mundet pasi që grabitësit kanë qenë me maska.
Tutje, dëshminë e dha edhe dëshmitari tjetër Leonit Berisha.
Lidhur me ngjarjen që kishte ndodhur më 06.09.2023 në pompën e derivateve “Ex Fis” në Prishtinë, dëshmitari tha se kishte qenë me kolegun e tij Enis Tmava.
“Atë natë kam qenë me kolegun tim Enis Tmava në vendin e punës, kemi qenë duke ndejtur dhe rreth orës 02:30 pas mesnate një veturë e tipit “Audi” e zezë ka ardhur, kanë qenë tre persona të maskuar me sa më kujtohet, kanë dalë nga vetura, kanë qenë të pajisur me armë, njëri ka qenë armë të gjatë “Kallash” e tjetri me armë të shkurtër” – deklaroi Leonit Berisha.
Gjatë rrëfimit të tij dëshmitari Berisha deklaroi se kishin qenë shumë të frikësuar dhe shuma qe u ishte marrë atë natë ka qenë diku mbi 500 euro.
Dëshmitarë të tjerë ishin Elijon Kamberi dhe Safet Hajdari, të cilët rrëfyen për grabitjen që kishte ndodhur më 13.09.2023 në pompën e derivateve “Shell Petrol”.
Dëshmitarët deklaruan se kishin qenë së bashku në ndërrimin e natës kur kishin dëgjuar një zhurmë të makinës dhe grabitësit kishin pasur armë. Ai tha se ishin ndier shumë të frikësuar dhe grabitësit e kishin marrë arkën dhe kishin ikur.
Përfaqësuesja e “Shell”, Elmaze Fazliu, pyeti të dëmtuarit se sa kishte qenë shuma që u ishte marrë atë natë nga ajo grabitje. Të dëmtuarit u përgjigjen së shuma ishte 100 euro.
Në seancë u dëgjua edhe dëshmitari Fisnik Mustafa. I njëjti deklaroi për grabitjen që kishte ndodhur më 18.09.2023 në pompën e derivateve “Alfa Trade”. I njëjti rrëfeu se kishte qenë në ndërrim me kolegun Taulant Shala dhe se kishin qenë duke shikuar televizion në momentin kur kishte ardhur vetura.
Dëshmitari rrëfeu tutje se grabitësit kishin qenë me armë dhe të maskuar.
Fisnik Mustafa deklaroi se kishte qenë shumë i frikësuar nga kjo ngjarje dhe shuma që i ishte marrë ishte rreth 1,200 euro.
Dëshmitari Bashkim Deda rrëfeu për grabitjen që kishte ndodhur më 10.09.2023 në pompën e derivateve “Ex Fis” në fshatin Shashkovicë të Podujevës. I njëjti deklaroi se gjatë grabitjes dëshmitarë kanë qenë edhe Muhamet Maloku dhe Leonard Maloku, të cilët kishin qenë duke blerë diçka në market.
Deda rrëfeu se personat që kishin hyrë për të grabitur kanë qenë të armatosur. Shuma që i ishte marrë kishte qenë 480 euro.
Mbrojtësi i të akuzuarit Artan Sekiraqa, avokati Liridon Kutllofci, e pyeti dëshmitarin se a kishte pasur ndriçim të mjaftueshëm në vendin ku kishte ndodhur ngjarja. I njëjti u përgjigj me “po”.
Në seancë u dëgjuan edhe dëshmitarët Trojan Bujupi dhe Qendrim Arifi.
Të njëjtit rrëfyen për grabitjen që kishte ndodhur më 08.09.2023 në pompën e derivateve “Shell” në Prishtinë.
Të njëjtit deklaruan se grabitja kishte ndodhur në ora 02:30 pas mesnate, kur grabitësit kishin ardhur me një automjet të markës “Golf 5 plus”.
Tutje dëshmitarët deklaruan se të dy kishin qenë në ndërrim dhe grabitësit kishin qenë me armë dhe shuma që u ishte marrë kishte qenë 1,000 euro, ndërsa grabitësit kishin marrë edhe çantën personale të Qendrim Arifit.
Tutje dëshmitarët shtuan se janë ndier të frikësuar nga kjo ngjarje.
Në fund të seancës mbrojtësja e të akuzuarit Flamur Mula, avokatja Luljeta Jashari Hertica, i propozoi trupit gjykues që t’ua ndërpriste masën e paraburgimit të akuzuarve.
Propozimin e avokates Jashari-Hertica njëzëri e mbështeten edhe avokatët Imer Beka, Liridon Kutllovci dhe Marigona Sejdiu.
Prokurorja e rastit, Dulina Hamiti, e kundërshtoi propozimin.
Ndërsa trupi gjykues mori aktvendim duke refuzuar propozimin e avokates pasi që ka konsideruar se ende nuk kanë pushuar kushtet dhe shkaqet për ndërprerjen e kësaj mase.
Trupi gjykues në këtë çeshtje penale përbëhet nga kryetari i trupit gjykues Avni Syla dhe anëtarët Sabit Sadikaj dhe Ertan Sejfulla.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës të ngritur më 05.01.2024, Arton Sekiraqa, Flamur Mula, Xhevdet Salihu, Fitim Munishi ngarkohen me veprat penale grabitje në bashkëkryerje, kurse secili veç e veç ngarkohet me veprën penale armëmbajtje pa leje.
Ndërkaq, Arton Sekiraqa dhe Flamur Mula akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë dhe zjarrvënies.
Prokuroria pretendon se të pandehurit Arton Sekiraqa, Flamur Mula, Fitim Munishi dhe Xhevdet Salihu, më 30.07.2023, rreth orës 21:40 minuta janë futur në një hipermarket në vend me përdorimin e forcës.
Më tej nën kanosje serioze të katër punonjësve, të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve të zjarrit, me çekan dhe me dorëza kanë përvetësuar shumën e parave në vlerë prej 6,700 euro, dhe cigare në vlerë rreth 600 euro.
Sipas Prokurorisë, të njëjtit janë larguar më pas nga vendi i ngjarjes me veturë me targa të vjedhura, me ç’rast të dëmtuarës “Interex” i kanë shkaktuar dëm material.
Tutje Prokuroria pretendon se të akuzuarit Arton Sekiraqa dhe Fitim Munishi më 24.08.2023 rreth orës 23:10 minuta në fshatin Babush i Muhaxherëve, komuna e Lipjanit, me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve të zjarrit, me revole ngjyrë të zezë dhe me thikë kanë hyrë në një pompë të derivateve, duke e përvetësuar shumën prej 1,000 eurove.
Përfitimin e kundërligjshëm Prokuroria pretendon se e kanë realizuar duke e kanosur dhe goditur me grushte një të dëmtuar, i cili ishte duke punuar në pompë. Kështu biznesit në fjalë i shkaktojnë dëme materiale.
Ngjashëm besohet se kanë vepruar të pandehurit Arton Sekiraqa, Flamur Mula dhe Fitim Munishi, më 31.08.2023 rreth orës 03:15 në fshatin Shkabaj, ku sërish pretendohet se futen të armatosur në një pompë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Ngjashëm të njëjtit besohet se veprojnë më 03.09.2023 rreth orës 02:00, në një pompë të derivateve në Prishtinë. Pas tri ditësh, më 06.08.2023, sërish e përsërisin veprimin e njëjtë të tre dhe në një pompë derivatesh.
Ndërkohë që veprimi përsëritet sërish nga të pandehurit Arton Sekiraqa dhe Fitim Munishi më 08.09.2023 rreth orës 02:33 minuta, në një pompë derivatesh në Prishtinë.
Veprime të tilla të grabitjes, sipas aktakuzës, përsëritën edhe disa herë, deri në grabitjen e fundit më 18.09.2023.
Të pandehurit Arton Sekiraqa dhe Flamur Mula pretendohet se më 27.08.2023, rreth orës 07:00, kanë vjedhur një veturë, të cilën më pas e djegin, duke i shkaktuar pronarit të veturës dëm material.
Të katër të pandehurit, sipas Prokurorisë, i kanë kryer veprat penale duke përdorur armë zjarri në mënyrë të paautorizuar.