Izmir Zeqiri - Foto: KALLXO.com

1 vit nga betimi, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, flet për planet për pjesën e mbetur të mandatit

Fundi i muajit maj shënon 1-vjetorin e betimit të Izmir Zeqirit si kryetar i Komunës së Zubin Potokut, betim ky që u përcoll me tensione të shumta e me protesta nga komuniteti serb, i cili kishte zgjedhur që t’i bojkotojë zgjedhjet e 23.04.2023.

Që nga atëherë, tek para pak javësh Zeqiri bashkë me kabinetin e tij arritën që të vendosen në objektin komunal të këtij qyteti e të vazhdojnë punën nga aty.

Vështirësitë e fillimit të mandatit kujtohen ende nga kryetari, ani pse ai vlerëson se tashmë gjërat janë “kthyer në binarë”.

“Fillimi i mandatit në muajt e parë ishte shumë i vështirë por gradualisht kemi arritur që deri më tani t’i kthejmë gjërat në binarët e duhur” – shprehet Zeqiri për KALLXO.com.

Vështirësi në punë përpos hapësirës së pamjaftueshme në zyrën për komunitete në Çabër ka qenë edhe ballafaqimi me, siç thotë kryetari, grupet kriminale-terroriste.

Ballafaqimi më këta të fundit, sipas Zeqirit, ishte sfida më e madhe e fillimit të punës. E kjo pasi, sipas tij, grupet në fjalë ndikonin edhe te qytetarët e tjerë.

“Sfida më e madhe ishte fillimi i punës ku u ballafaquam me veprimin e grupeve kriminale-terroriste të cilat përpiqeshin që t’i bindnin të gjithë qytetarët të futen në një rezistencë kundërshtuese për të penguar funksionimin normal” – shprehet i pari i Komunës.

Zeqiri thotë se tashmë vërehet përmirësim në këtë pjesë.

Madje ai shton se në vazhdimësi ka takime të shumta me qytetarë, e shumica prej tyre janë të komunitetit serb.

“Në baza ditore kemi mesatarisht dhjetëra takime individuale dhe grupore. Kryesisht janë takime me qytetarët e komunitetit serb” – thotë Zeqiri.

Kryetari tregon se pjesë e punëtorëve të Komunës janë rreth 50 qytetarë serbë momentalisht, por ai thotë se konkurset janë të hapura edhe për të tjerë e se do të vazhdojnë me punësimet e komunitetit serb.

Sipas tij, kërkesat kryesore të qytetarëve janë punësimet në institucione dhe kërkesa për infrastrukturë dhe subvencione të ndryshme individuale dhe grupore, teksa shton se aktualisht më shumë po merren me punësimin e qytetarëve dhe subvencionime në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Disa nga projektet që Zeqiri veçon nga puna e tij deri më tani ai thotë se është subvencionimi i familjeve të neglizhuara ekonomikisht dhe që kanë persona të sëmurë.

Sipas tij, në vjeshtën e vitit të kaluar nga ky projekt kanë përfituar 730 familje, kryesisht të shumicës serbe dhe gjithashtu thotë se deri më tani kanë diku rreth 450 kërkesa për t’u dalë në ndihmë.

“Gjithashtu projektet kapitale siç është asfaltimi i disa rrugëve gjithandej komunës dhe ndërtimi i një parku për lojëra të fëmijëve në komunën e Zubin Potokut, renovimi i brendshëm i objektit të Komunës, të gjitha këto janë të prag të fillimit të punimeve” – shtoi tutje kryetari.

Zeqiri tha se nga Qeveria e Kosovës nuk kanë ndihmë të mjaftueshme. Ai shkurtimisht thotë se kanë “premtime, por më pak ndihma konkrete”.

Kryetari shton se nevojat janë të mëdha, prandaj edhe ndihma e Qeverisë duhet të jetë më e lartë.

Sa i përket pjesës së sigurisë, Zeqiri vlerëson se që nga fillimi i këtij viti situata është bindshëm më e sigurt se vitin e kaluar.

“Falë organeve të rendit që po bëjnë punë profesionale dhe të përgjegjshme situata vazhdon të jetë e qetë dhe nën kontroll, dhe siguria e qytetarëve është në nivel të duhur” – shprehet Zeqiri.

Në anën tjetër, Zeqiri foli edhe rreth procesit të kthimit të patentë shoferëve nga ata të lëshuar nga strukturat jolegale serbe në RKS.

Zeqiri shpjegoi se ky proces po shkon mirë, pa ndonjë problem, e se është në vazhdim e sipër.

Ndërsa lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë, Zeqiri tha se ka interesim, po jo në përmasa të mëdha.

Ai tregon se në plan për pjesën e mbetur të mandatit është funksionalizimi i stafit teknik të Komunës duke punësuar profesionistë e po ashtu edhe implementimin e disa projekteve infrastrukturore që janë të parapara në buxhet nga viti i kaluar.

Një situatë e tensionuar mbizotëroi në maj e qershor të vitit të kaluar në komunat e veriut të Kosovës.

Në zgjedhjet që u mbajtën në prill të vitit 2023 fitues dolën kryetarë shqiptarë, pasi komuniteti serb bojkotoi zgjedhjet.

E betimi i kryetarëve, që u bë në maj të vitit që lamë pas, u kundërshtua me protesta të dhunshme.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të KFOR-it e edhe ekipe të gazetarëve mbetën të lënduar nga dhuna që ushtruan protestuesit.