Foto: Ilustrim

1 muaj paraburgim të dyshuarve në rastin e 400 kg kokainë

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit shtatë të dyshuarve në rastin e 400 kg kokainë, që u konfiskua të hënën në Lipjan.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

KALLXO.com gjatë ditës arriti të sigurojë kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës për caktimin e paraburgimit për shtatë të dyshuarit lidhur me 400 kilogramët e drogës së llojit kokainë e kapur të hënën në Lipjan.

Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet në detaje pretendimi për rolin e secilit nga të dyshuarit dhe po ashtu, përshkruhet rruga e ngarkesës së kokainës dhe destinacioni final i ngarkesës.

Prokuroria pretendon se shtatë të dyshuarit, kanë vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe si bashkim i strukturuar kriminal, duke kryer veprime me qëllim të importimit në Kosovë të sasisë prej 400 kilogramëve të drogës së llojit kokainë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Izet Sheqiri si pronar i kompanisë MC FOOD nga koha e pacaktuar deri më 15 maj 2021 gjatë tërë kohës është kujdesur për të gjithë rrjedhën e hyrje daljeve të ngarkesave dhe të gjitha punëve që bëheshin në kompaninë MC FOOD dhe se ka shprehur interesim për dërgesën në të cilën është gjetur substanca narkotike.

Gjithnjë sipas dosjes së Prokurorisë, këtë kujdes personal Izet Sheqiri e ka manifestuar duke qëndruar në kontakt me shpediterin  dhe shoferin e kamionit, i cili e ka sjellë dërgesën.

Po ashtu, sipas dosjes së Prokurorisë, Izet Sheqiri ka qenë disa herë në kompani dhe pse ishte ditë vikendi dhe po ashtu ka shfaqur interesim duke kërkuar që ngarkesa të përfundohet ditën e premte me dokumente dhe gjatë vikendit të sillet në Kosovë për shkarkim e të bëhet kthimi i kontejnerit, i cili ishte shfrytëzuar për transportin e substancës narkotike të lartcekur.

Kurse për të pandehurin tjetër Kadri Sheqirin, Prokuroria pretendon se i njëjti në cilësinë e financierit të kompanisë MC FOOD, duke qenë njëkohësisht edhe familjar i pronarit të kompanisë, Izet Sheqiri, ka qenë përgjegjës për transferet bankare si dhe kontaktet me persona nga Amerika Latine, gjë e cila sipas Prokurorisë është vërejtur gjatë kontrollit të Policisë.

Për të pandehurin Kadri Ibrahimi, Prokuroria pretendon se i njëjti në cilësinë e punëtorit të kompanisë, është përkujdesur dhe e ka menaxhuar shkarkimin e ngarkesës, ku është gjetur substanca narkotike, për çka sipas Prokurorisë, është vërtetuar në momentin e ndërhyrjes së Policisë. Sipas dosjes së Prokurorisë Kadri Ibrahimi e kishte kontaktuar një vozitës tjetër të kompanisë, me qëllim që i njëjti ta merrte dërgesën e shkarkuar dhe ta ngarkonte menjëherë në një kamion tjetër, kamion ky i cili po ashtu ishte pronë e kompanisë MC FOOD.

Për Fehmi Bytyçin, Prokuroria pretendon se ai në cilësinë e shoferit e nën direktivën e pronarit të kompanisë MC FOOD, Izet Sheqirit, ishte nisur nga porti i Durrësit në drejtim të Kosovës me dërgesën në të cilën ishin gjetur substancat narkotike. I njëjti sipas Prokurorisë, pasi e kishte kaluar kufirin në Vërmicë, me ngarkesën e njëjtë ishte drejtuar pastaj në terminalin doganor në Fushë Kosovë, për të vazhduar më pas në destinacionin final, në kompaninë MC FOOD në Lipjan.

Të pandehurin Faton Vrajolli, Prokuroria e gjen përgjegjës që në cilësinë e zëvendësdrejtorit të kompanisë, ka qenë përgjegjës për dërgesat dhe porositë që vinin nga të gjitha shtetet, duke përfshirë këtu edhe dërgesën e cila pas kontrollit të Policisë, kishte rezultuar me gjetjen e substancës narkotike, e që sipas Prokurorisë i njëjti dyshohet se ka mbajtur vazhdimisht kontakte me fabrikën nga shteti i Brazilit nga ku ishte nisur dërgesa.

Afaristit nga Peja, Enver Belegu, Prokuroria i vë në barrë dyshimin se i njëjti kishte qenë prezent në kompani në ditën e shkarkimit të kamionit në të cilin ndodheshin substancat narkotike, e krejt kjo sipas Prokurorisë ishte bërë me qëllimin që i njëjti një sasi të narkotikëve ta tërhiqte.

Kjo pasi që sipas Prokurorisë, Belegu nuk kishte mundur që Policisë t’i paraqiste asnjë faturë apo dëshmi që paraprakisht të kishte paraqitur ndonjë kërkesë për blerje të ndonjë produkti ushqimor në kompaninë MC FOOD.

Ndërsa për ekonomistin e kompanisë, Bajram Maliqin, Prokuroria pretendon se i njëjti duke qenë në pozitën e ekonomistit të kompanisë, ka qenë përgjegjës për të gjitha dërgesat bankare të kompanisë dhe për shkak të pozitës së tij, i njëjti do duhej të kishte pasur njohuri edhe për dërgesën e fundit që u gjeten substancat narkotike.

Me veprimet e sipërpërmendura të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale të pjesëmarrjes dhe organizimit të grupit kriminal lidhur me veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Po ashtu të pandehurit Izet e Kadri Sheqiri dyshohet se kanë kryer edhe veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Prandaj, Prokuroria duke u nisur nga pretendimet e sipërpërmendura ka vlerësuar se ndaj të pandehurve duhet të caktohet masa e paraburgimit, e krejt kjo me qëllim të sigurimit të pranisë së të njëjtëve në procedurë penale. Kjo për shkak se sipas Prokurorisë, nëse të njëjtit do të gjenden në liri përveç faktit që mund të arratisën, ata do të mund të bëjnë përpjekje për t’i zhdukur apo dëmtuar provat apo edhe të ndikojnë në dëshmitarë.

Prokuroria në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ka deklaruar se ndonëse është analizuar edhe mundësia e caktimit të ndonjë mase tjetër alternative, është ardhur në përfundim se paraburgimi do të ishte e vetmja masë adekuate për zhvillimin e pa penguar të procedurës penale duke pasuar parasysh edhe peshën e rëndë të veprës penale dhe të rrethanave të tjera.