Foto-ilustrim
1 muaj paraburgim për serbin e dyshuar për krime lufte kundër civilëve në Kamenicë
Një person i nacionalitetit serb është arrestuar dje nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile.
Prokuroria Speciale sot ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të arrestuarit.
Gjykata me të pranuar kërkesën e Prokurorisë ka mbajtur seancën paraprake dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Z.A. në kohëzgjatje prej 1 muaji.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.A. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas Prokurorisë Speciale, ka dyshime të bazuara se gjatë marsit të vitit 1999, Z. A. në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar ka rrahur dhe torturuar të dëmtuarin B.M.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari pretendohet se duke qenë i armatosur dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe për 1 orë e gjysmë torturoi në mënyrë çnjerëzore dhe kërcënoi për jetë të dëmtuarin.
“I pandehuri Z.A., dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjithashtu, Prokuroria njofton se kundër personit Z.A. ekziston dyshimi se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, saktësisht gjatë periudhës shkurt – mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve në rajonin e Kamenicës.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive e pastaj duke i djegur ato, që qëllim final kishte dëmtimin e pronës së popullsisë shqiptare.
Kështu, sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari ka marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë dhe me këto veprime sipas prokurorisë kishte për të kryer veprën penale – krime lufte kundër popullatës civile.
Kamenicë, arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte kundër civilëve shqiptarë