1 muaj paraburgim për personin që dyshohet se sulmoi kamarierin me thikë në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar paraburgim prej 1 muaji, një të dyshuari me inicialet R.K., pasi që i njëjti kishte sulmuar me thikë një kamarier në një lokal të Prizrenit.

Sipas Gjykatës, ngjarja ka ndodhur me datë 11 nëntor, në orët e mesnatës, pas një ngatërrese, i dyshuari me inicialet R.K., kishte sulmuar kamerierin e një lokali, pasi që ky i fundit kishte refuzuar ta shërbejë me birrë.

R.K., sipas Gjykatës, kishte goditur me thikë në bark të dëmtuar e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Viktima fillimisht ishte dërguar në Spitalin e Prizrenit, e më pas është dërguar në QKUK për tretman urgjent mjekësor.

Gjykata ka thënë se i dyshuari pas kryerjes së veprës, ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe prezenca e tij në Gjykatë është siguruar në mënyrë të dhunshme nga ana e Policisë.

“Pra me qëndrimin e tij në liri mund të fshihet apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të dënimit të lartë për të cilën vepër parashihet, si dhe në rrjedhën e mëtejmë do të mblidhen edhe prova të tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin në fjalë.