1 muaj paraburgim ndaj Marko Daniq, i dyshuar për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji Marko Daniqit, i dyshuar për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan më 29 maj 2023.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Mirlinda Gashi.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit M.D, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi dhe veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar”- tha zëdhënësja Mirlinda Gashi.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.D dhe të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”- tha tutje Gashi.
Marko Daniq dyshohet se ka marrë pjesë në protestën e 29 majit të 2023, ku 93 ushtarë të KFOR-it ishin lënduar.
Ai po dyshohet se ka kryer veprën penale kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës.
KALLXO.com kishte raportuar në kohë reale për zhvillimet në veri të vendit më 29.05.2023.
Që nga mëngjesi i 29 majit e deri kur eskaloi situata, KFOR po tentonte të arrinte një marrëveshje me Listën Serbe që dy autoblinda me zyrtarët brenda tyre të lejoheshin të niseshin për në jug.
Lista Serbe për këtë thoshte se qytetarët nuk lejojnë të ndodhë diçka e tillë, kjo pasi kërkesa e këtyre të fundit ishte që të largoheshin të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
KFOR kishte deklaruar se rreth 25 ushtarë nga kontingjenti shumëkombësh, janë plagosur gjatë ndalimit të protestues që ndodhi në komunën e Zveçanit.
Në drejtim të ushtarëve ishin hedhur gurë dhe koktej mollotovi.