1 milion litra verë të Kosovës do të eksportohen në Serbi

Kryeministri Avdullah Hoti ka qëndruar sot gjatë ditës në Suharekë ku ka vizituar fabrikën e prodhimit të verës, “Agro Kosova Holdin”, në kuadër javës së biznesit kosovar.

Pronari i verarisë “Agro Kosova Holding”, Aziz Tafaj deklaroi se si kompani kanë nënshkruar kontratë për t’i eksportuar 1 milion litra verë për Serbi.

“Një treg i ri këtë vit është edhe Serbia. Në Shtator e kemi nënshkruar një kontratë edhe për 1 milion litra me i eksportu në Serbi. Kjo është ndihmuar me relaksimin e raporteve nga marrëveshja e Uashingtonit. Sot po e fillojmë implementimin e asaj marrëveshje”, tha pronari i fabrikës, Aziz Tafaj.

Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti tha se mbi 80% e prodhimit do të eksportohet jashtë vendit.

“Bashkë me anëtarët e kabinetit jemi këtu për t’i dhënë mbështetje prodhimit vendor, sidomos kur eksportohet jashtë. Rreth 70%-80% e prodhimit del jashtë me shënimin “Made in Kosova”, kjo është e rëndësishme”, tha Hoti.

“Kemi dyfishuar subvencionimin për hektar të vreshtave nga 1 mijë në 2 mijë euro. Duke dyfishuar subvencionimin për litër të verës, nga 4 cent, në 8 cent. Gjendja është e rëndë, por do të ju qëndrojmë afër bizneseve për ta kaluar këtë situatë”, tha tuje kryeministri Hoti.