1 mijë euro gjobë për infermieren e Vushtrrisë e cila nuk u vetizolua

Mëngjesin e sotëm, KALLXO.com ka raportuar se një infermiere në Vushtrri e cila ishte e infektuar me Covid- 19 është takuar nga policia mbrëmë në rrugët e qytetit.

Inspektorati Sanitar i Komunës së Vushtrrisë, ka dhënë detaje për gjobën e cila i është shqpituar infermieres në Vushtrri.

“Duke vepruar sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, sot në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, i ka shqiptuar qytetares L.B, punëtore shëndetësore në Prishtinë, gjobë prej 1 mijë euro për shkelje të vendimit për vetizolim pasi e njejta kishte rezultuar pozitiv me Covid 19 dhe e ka thyer vetizolimin duke dalur në qytet”, thuhet në njofitmin e inspektoratit.

Tutje në njoftim është bërë e ditur se deri tek ndalimi i infermieres nga ana e policisë ka ardhur falë bashkëpunimit të qytetarëve.

“Bashkëpunimi me qytetarët në këtë pandemi është i shkëlqyeshëm, ku edhe deri te rasti në fjalë ka ardhë për shkak të raportimit nga qytetarët. Shtabi Emergjent Komunal fton të gjithë qytetarët që bashkë, duke iu përmbajtur masave të IKSHPK-së të luftojmë përhapjen e pandemisë Covid 19 dhe të ruajmë qytetin e qytetarët tanë”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka raportuar sot për rastin e infermieres në Vushtrri e cila rrezikoi edhe qytetarët e tjerë, pasi që e infektuar me Covid-19 e njëjta kishte dal në qytet.

Infermierja në Vushtrri e infektuar me COVID-19, shëtit në qytet