ILUSTRIM - FOTO KALLXO: Punëtorët kosovarë

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

1 Maji është dita që në të gjithë botën i kushtohet punëtorëve.

Kjo lindi nga lufta e tyre për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme, e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më  1 maj 1886.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887.

Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.

Sindikata botërore e caktoi 1 Majin – ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës.

Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që: dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në  të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje, liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës. 

Edhe pse pushohet në shumicën e institucioneve, ndër të tjera një pjesë e madhe edhe festojnë këtë ditë duke kaluar ditën në parqet dhe në peijazhet tjera të Kosovës.

Ndërkaq, po ashtu është bërë traditë që edhe të protestohet në kryeqytet.

Në Prishtinë, sot do të mbahen dy protesta. Njëra fillon nga ora 11 deri në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.