​Ministria e Punëve të Jashtme fton AKI-në të mbrojë informacionet

Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporës ka ftuar Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) që të vlerësojë sigurinë fizike të informacioneve dhe të mbështes masat për rritjen e nivelit të sigurisë së informacioneve të kësaj ministrie.

Sipas një njoftimi për media, kjo është bërë për shkak se ministrja e re, Meliza Haradinaj Stublla, ka gjetur parregullsi në sigurinë e informacioneve.

“Pas marrjes së mandatit nga Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla, janë vënë re shumë parregullsi sa i përket plotënisë dhe sigurisë së informacioneve të trashëguara nga qeveria e kaluar të cilat cenojnë funksionalitetin e MPJD”, është bërë e ditur në një njoftim për media.

Tutje është thënë se për këtë arsye, dhe në bashkëpunim me AKI, MPJD do të merr të gjitha masat e nevojshme administrative dhe ligjore për të garantuar nivelin më të lartë të sigurisë së informacioneve në MPJD.