Philipp Kosnett, Ambasadori i ShBA-së në Kosovë

​Kosnett fton qytetarët t’i raportojnë rastet e blerjes së votave nga partitë

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka ftuar qytetarët e Kosovës që të raportojnë parregullsitë, frikësimet ose blerjen e votave që mund të hasin në procesin e votimit më 6 tetor.

Përmes një postimi në Twitter, Kosnett ka thënë që edhe qytetarët mund t’i kontribuojnë mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në Kosovë.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme varen nga individët, si dhe nga organizatat. Monitorimi i zgjedhjeve ndihmon për të siguruar që ato janë të lira. Nëse ju si qytetarë shihni një akt frikësimi, blerje votash ose shkelje tjetër, mund ta raportoni atë tek autoritetet”, ka shkruar Kosnett.

 

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 6 tetor ndërsa në këto zgjedhje do të jenë 5 kandidatë kryesorë për kryeministër Kadri Veseli (PDK),  Vjosa Osmani (LDK), Albin Kurti (VV), Ramush Haradinaj (AAK-PSD) dhe Fatmir Limaj (NISMA-AKR-PD).