​KMDLNj: Të pezullohet çdo grevë për aq kohë sa zgjat pezullimi i Ligjit për Paga

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i ka ftuar të gjithë sindikalistët që të pezullojnë grevat, pasi që Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar Ligjin për Paga.

KMDLNj ka thënë se masa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është vendim përfundimtar dhe nuk e paragjykon vendimin final.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë të pakundërshtueshme dhe asnjë grevë apo protestë nuk e vë në pyetje këtë vendim , qoftë si masë e përkohshme apo vendim final. Askush nuk  ka kundërshtuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe kur janë shkarkuar presidentët , kur janë kundërshtuar Marrëveshjet me Serbinë apo edhe Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë. Edhe sindikatat e lartpërmendura nuk kanë asnjë arsye të kundërshtojnë masën e pezullimit nga Gjykata Kushtetuese , deri në një vendim final; nëse Ligji shpallet antikushtetues nuk do të zbatohet fare dhe nëse jo , do të ketë kompensim në mënyrë retroaktive”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

Tutje thuhet se KMDLNj e njeh dhe e pranon veprimin sindikalist deri në atë masë që nuk e rrezikon palën tjetër përkatësisht nëse shkaktohet dëm i madh dhe i përgjithshëm , rrezikohet shëndeti dhe jeta e qytetarëve sikur kur rrezikohet edhe siguria personale dhe e përgjithshme e qytetarëve.

“KMDLNj shpreson dhe beson se , për shkak të natyrës së punës , Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe Sindikata e Policisë nuk do të bëjnë grevë të përgjithshme për faktin se seriozisht do të rrezikohej shëndeti i qytetarëve të Kosovës , siguria e qytetarëve por edhe stabiliteti i Kosovës”, kanë thënë ata.

Sipas tyre,SBASHK-u , në vend se të merr përgjegjësi për rezultatet në testin e PISA-së , me grevën e paralajmëruar, sipas tyre në mënyrë aktive po kontribuon në degradimin e sistemit arsimor duke legalizuar në këtë mënyrë analfabetizmin funksional.

“Me grevën në arsim , më parë dhe tani , SBASHK-u po ua shkel në mënyrë flagrante të drejtat e nxënësve për mësimnxënie, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut sikur po i dëmton edhe prindërit që investojnë materialisht dhe jo vetëm materialisht në fëmijët e tyre ndërkaq që SBASHK-u ua mohon të gjitha të drejtat , edhe si nxënës , edhe si prindër !”, thotë KMDLNj.

“Në rrethana kur procesi mësimorë është lënduar dhe dëmtuar deri në degradim të skajshëm , prindërit nuk duhet t’u binden SBASHK-ut por duhet t’i dërgojnë fëmijët në shkolla . Askush nuk ka të drejtë që , në emër të përfitimeve personale dhe grupore të dëmtojë një numër aq të madh të nxënësve sikur që çdo rritje e pagave duhet të jetë në përputhje me ngritjen e performancës e që në rastin konkret është pikërisht e kundërta”, kanë shtuar ata.

Sot, mësimdhënësit dhe mantelbardhët kanë mbajtur grevë si shenjë pakënaqsie, pasi që Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga sipas kërkesës nga Avokati i Popullit. Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti.

Dërgimin e këtij ligji në Kushtetuese e kishte paralajmëruar këshilltari i lartë në Institucionit të Avokatit të Popullit, Burim Tahiri, në emisionin ‘Jeta në Kosovë”.

Ligji i ri i pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.