Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

​FSShK i dorëzon zyrës së kryeministrit peticionin për shtesën prej 300 eurove

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se sot i ka dorëzuar zyrës së kryeministrit peticionin e punëtorëve shëndetësore dhe stafit mbështetës të realizuar nga data 14 shtator.

Sipas njoftimit, përmes peticionit punëtorët shëndetësor dhe stafi mbështetës kanë shprehur revoltën e tyre për mos realizimin e Vendimit të Qeverisë të datës 29 korrik për shtesën në pagë prej 300 euro për muajt korrik dhe gusht 2020.

“Peticioni është mjeti i fundit juridik i ndërmarr nga FSSHK dhe anëtarësia e gjerë drejtuar institucionit të kryeministrit, aq më shumë kur jemi dëshmitar të deklaratave të pa qarta të Kryeministrit në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

FSSHK ka bërë të ditur se në qoftë se nuk merren seriozisht nënshkrimet e punëtorëve shëndetësor dhe stafit mbështetës në drejtim të realizimit të kësaj të drejte, FSSHK nga e hëna do të dal me veprime konkrete duke filluar nga dorëzimi i mjeteve transportuese të emergjencës, dorëzimi i mjeteve për pastrim nga ana e punëtorëve të higjienës,mos funksionimi i sistemeve teknike dhe sigurimi i objekteve shëndetësore.

“Të gjitha këto bijnë në përgjegjësinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ngase ne e kemi konsumuar dialogun social”, thuhet në njoftim.

Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë të Kosovës kanë protestuar të mërkurën në shenjë pakënaqësie për pagesat e tyre.

Infermierët: Rritje të pagave ose protestë (VIDEO)