Shpejtim Bulliqi - Foto: KALLXO.com

​Bulliqi kërkon nga Mali i Zi të mos i rrënojë stanet në vijën kufitare

Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi, pas një vizite në zonën kufitare Kosovë-Mal i Zi  ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës në pjesën e Ishtedimit që të mos bëjnë ndërtime aty.

“Duke analizuar zhvillimet dhe vijën kufitare, Komisioni apelon që të mos ndërmerren aktivitete për ndërtim të staneve të reja nga ana e qytetarëve të Kosovës në atë pjesë”, ka shkruar Bulliqi në facebook.

Tutje Bulliqi ka apeluar që edhe autoritet e Malit të Zi të ndërpresin aktivitetet e rrënimit të staneve të qytetarëve të Kosovës.

“Të ndërpriten edhe aktivitetet për rrënimin e të njëjtave nga autoritetet e Malit të Zi, ngase bëhet fjalë për zonë kufitare dhe të drejtat sendore ndërkufitare do të definohen me Marrëveshjen Ndërshtetërore për Kufi”, ka theksuar Bulliqi.

Sipas tij ndryshimi i gjendjes faktike në terren, nuk i kontribuon punës së Komisionit në përgjithësi, e Trupës punuese në veçanti, “Është tepër e nevojshme përmbajtja nga veprimet e njëanshme jo vetëm në Ishtedim, por në të gjithë brezin kufitar në përgjithësi”, ka theksuar ai.

Para disa ditëve autoritetet malazeze kishin shembur disa stane të të shqiptarëve në bjeshkën e Ishtedimit që gjendet në zonën kufitare mes Kosovës dhe Mal të Zi.