​Alarmon Vetëvendosje: Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-së janë në kaos

Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur shqetësimin për gjendjen në Forcën e Sigurisë së Kosovës  dhe mos realizimin e objektivave të parapara të transferimit të FSK-së në Ushtri.

Deputeti Shemsi Syla  tha se FSK është larg me objektivat për transformimin në ushtri.

“Elementet kyçe të fazës së parë të planit gjithëpërfshirës të transformimit të FSK-së në Ushtri, nuk janë realizuar. Po  përsëris prapë atë që kemi deklaruar ne si Lëvizje, objektivat që është dashur të arrihen më 21 maj 2019 në fazën A plus 120 ditë, siç ishin riorganizimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes dhe Komandës së Forcave Tokësore në Shtabin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, objektiv i parealizuar. Si dhe vendosja e elementeve udhëheqës – drejtues, gjeneralë, drejtorë dikasteresh, gjithashtu i parealizuar”, tha Syla

. Deputeti Syla ka deklaruar se Ministria e Mbrojtjes për gjashtë muaj nuk e ka shpenzuar buxhetin e planifikuar, pasi vetëm 3 përqind e shpenzimeve kapitale janë përdorur.

“Për pasojë aktualisht një pjesë e personelit ushtarak dhe civilë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së, gjendet në një situatë të vazhdueshme kaosi. Krahas këtij kaosi, Ministria e Mbrojtjes për gjashtë muaj nuk e ka shpenzuar buxhetin e planifikuar. Për dijeninë tuaj, vetëm 3 përqind e shpenzimeve kapitale janë përdorur”, tha Syla

Ai ka shtuar se buxheti i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, e sidomos shuma për shpenzime kapitale, tregon të vërtetën se sa ishte e përkushtuar Qeveria e rrëzuar, për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse.

Ai më tej foli edhe për keqpërdorimet, që sipas tij po përgatiten në Ministrinë e Mbrojtjes. “Ministria e Mbrojtjes parasheh që mbi 13 milionë euro t’i shpenzon këtë vit, pra muajt që kanë mbetur, përmes blerjeve të veçanta me procedura të negociuara, duke u thirr në aspektet e sigurisë, të përjashtuara nga Ligji i Prokurimit Publik të Republikës”, tha Syla.