​Lajçak: Marrëveshja finale Kosovë-Serbi duhet të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajçak, bisedoi sot në ditën e tij të parë të punës në Bruksel, me ambasadorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne patëm një bisedë konstruktive për situatën në rajon dhe procesin e integrimit evropian“, ka shkruar Lajçak në profilin e tij në Twitter.

Lajçak thotë se ambasadorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor i ka informuar për planet e tij brenda mandatit të ri si përfaqësues special i BE-së për dialogun dhe Ballkanin Perëndimor.

Kur bëhet fjalë për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak vlerëson se “të gjitha palët janë të gatshme të vazhdojnë bisedimet” dhe se ata thjesht po presin për “kalendarin politik”, por fillimisht situata me koronavirusin duhet që të lejojë një takim fizik.

“Këtë herë, ne duhet ta çojmë dialogun, duke arritur një marrëveshje që do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura një herë e përgjithmonë dhe do të normalizojë atmosferën jo vetëm midis Beogradit dhe Prishtinës, por edhe të gjithë rajonit“, tha Lajçak.

BE vlerëson se “koha, agjenda dhe shpejtësia e dialogut” janë “në duart e Beogradit dhe Prishtinës”, dhe se përfaqësuesi special po punon për krijimin e kushteve për rifillimin e dialogut sa më shpejt të jetë e mundur./ 21 Media

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!