Ukshin Hoti
Komisioni për të pagjeturit demanton pohimet për kthimin e eshtrave të Ukshin Hotit
Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit ka demantuar lajmin se janë gjetur eshtrat e Ukshin Hotit.
“Ju lutemi kujdes, me lajme të tilla, për hir të familjes Hoti dhe gjithë familjarëve të personave të zhdukur me forcë, që edhe 22 vite pas lufte vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen dhe ankthin e pritjes për të mësuar të vërtetën për më të dashurit e tyre të zhdukur dhunshëm”, thuhet në një postim të tij në Facebook.
Sipas tij, lajme të tilla, krahas shkaktimit të dhimbjes së familjeve, dëmtojnë rëndë procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur
Gjatë ditës së sotme portali “Albanian Post” ka raportuar se janë gjetur eshtrat e ish-profesorit, Ukshin Hotit.
Gjatë ditës një gjë e tillë është mohuar edhe nga djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti, i cili është edhe kryesues i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, njëherësh kryetari i delegacionit për bisedime për çështjen e personave të zhdukur.
Hoti ka deklaruar se do të ndërmarrë hapat procedural për të ngritur padi.